Rreth 110 fëmijë të lagjes “Gramsh” në Rrushbull të Durrësit nuk përfitojnë nga fondi i transportit të shkollës.
Prindërit e këtyre fëmijëve me pankarta në duar kërkojnë që pagesa e transportit t’u jepet përsëri. Ata janë të detyruar të paguajnë 1700 lekë në muaj për transportin e fëmijëve, pasi shkolla është shumë larg nga vendbanimi i tyre. Shkak është bërë VKM 119 e dt 1 mars 2023 ku ndalon të jepen fonde publike për shpenzim transporti nëse në vendbanimin e tyre funksionojnë IAP-të publike. Shkolla është ekzistuese dhe 4 km larg vendbanimit të nxënësve të lagjes “Gramsh”.
Fëmijët mësojnë pranë ambienteve të shkollës 9 vjeçare “ Vëllezërit Haradinaj ” e cila ndodhet 4km larg lagjes Gramsh. Qytetarët tregojnë se nuk i lejojnë dot fëmijët të shkojnë në këmbë, pasi përveç largësisë , gjithashtu dhe rruga është shumë e rrezikshmë. Sidomos për më të vegjlit.
Ata shprehën për emisonin Fiks Fare se ky është viti i parë që nuk po marrin pagesën e transportit dhe se kjo gjë është kthyer në një shqetësim, pasi një pjesë e madhe nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar.
“ Nëse nuk gjendet një zgjidhje për pagesën e transportti, jam e detyruar të ju ndaloj shkollën fëmijëve, sepse nuk kam mundësi që t’ju paguaj transportin” shprehet një qytetare . Prindërit tregojnë se nuk mund t’i lejojnë fëmijët e tyre të shkojnë në këmbë, pasi duhet të kalojnë 3 akse rrugore gjithashtu dhe në shinat e trenit. As me makina private nuk mund t’i çojnë.
Gazetarët e Fiksit udhëtuan drejt shkollës për të takuar drejtoreshën e shkollës 9 vjeçare “Vëllezërit Haradinaj”, Markela Mema . Kjo e fundit nuk përgjigjet telefonatës së gazetarëve.
Fiks Fare kërkoi një informacion nga Administratori i Njësisë Administrative Rrushbull, Albert Bugaci.
Administratori shpreh se nuk është në dijeni për rastin dhe se nuk ka marrë asnjë ankesë nga prindërit . Pas ballafaqimit me prindërit ai nuk përgjigjet, por ju thotë prindërve që duhet të interesoheni në zyrën arsimore dhe largohet nga njësia me makinën e tij.
Gazetarët e Fiksit u interesuan në ZVA Durrës, ku takuan financieren Alma Dena.
Ajo tregon se është në dijeni për këtë problem dhe se kjo ka ardhur si pasojë e VKM së 2023. Punonjësja e këtij insitiucioni shpreh se nga konstatimet që janë bërë nga Njësia Administrative dhe janë miratuar nga Bashkia Durrës, këta fëmijë kalojnë 2km, por nuk përfitojnë për shkak të VKM-së . Gjithashtu tregon se institucionet eprore janë në komunikime të vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhjeje më efikase.
Redi Biturku, jurist në DRAP Durrës, shpreh se asnjë VKM nuk ka lejuar ndër vite që të jepet pagesa për fëmijët që kanë shkollë ekzistuese në vendbanimin e tyre. Z.Biturku tregon se me ndryshimet e bëra në VKM 119 të datës 1 mars 2023, ku ndër të tjera thuhet se nuk përfitojnë fonde publike për shpenzimet e transportit nxënësit që udhëtojnë mbi 2km nëse në vendbanimet e tyre funksionojnë IAP-të ekzistuese (shkollë/kopsht).
Pas kësaj VKM-je Ministria e Arsimit dhe Sportit ka lajmëruar të gjithë ZVA-të që të bëhen auditime në të gjitha shkollat. Z. Biturku shpreh se kjo situatë do vazhdojë po njësoj dhe do ketë ankesa përsëri, pasi auditimet po vazhdojnë të bëhen dhe se fatkeqësisht deri në momentin e ndryshimit të VKM-së, ky do të jetë një shqetësim për të gjithë.
Top Channel