Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët me homologen italiane, Georgia Meloni, reagoi sërish për dokumentarin e RAI 3, që hidhte akuza të forta ndaj tij dhe qeverisë shqiptare.
Rama i konsideroi shkrimet në mediat italiane si gjysmë të vërteta që kanë për qëllim të hedhin baltë ndaj vendit tonë dhe të sulmojnë marrëveshjen e arritur mes dy vendeve për strehimin e emigrantëve të paligjshëm në Gjadër.
“Grupet kriminele shqiptare nuk ngjasojnë me ato që thonë në Itali, grupet shqiptare nuk kanë një hierarki dhe veprojnë në rrethe të ngushta familjare dhe shoqërore. E shfrytëzoj këtë rast për të shprehur trishtimin për gjysmë të vërtetat në mediat italiane, me qëllim për të hedhur baltë mbi këtë vend, për të sulmuar marrëveshjen e bashkëpunimit kundër emigracionit të paligjshëm. Të kenë turp ata që të drejtën demokratike për t’u informuar mbi këtë marrëveshje, e kanë abuzuar”.
Më tej, Rama falënderoi ata që janë solidarizuar me Shqipërinë, duke përmendur mesazhet mbështetësve që ka marrë nga shumë personalitete në vendin fqinj.
“Falënderoj ata që kanë treguar solidaritetin e tyre ndaj nesh. Kam marrë mesazhe të shumta nga miqtë në Itali, kundrejt atij lumi balte të shpërthyer ndaj Shqipërisë dhe qeverisë, që mund të ketë mbi vete gjithë mëkatet, por s’mund të mbajë mëkatin që të kthejë kurrizin kur kërkohet ndihmë”.
Rama mori shembull edhe strehimin e shtetasve afganë në Shëngjin, të cilëve “Shqipëria u hapi derën, kur asnjë nga vendet e BE-së nuk e bëri”.
“Kemi këtu prej 2 vite e gjysmë një komunitet afganësh, njerëz që i janë larguar vdekjes pas rënies së Kabulit dhe janë mikpritur, kur asnjë nga vendet e BE-së nuk pranoi t’i strehonte. Çdo të premte mbërrin një avion me 90-120 persona që qëndrojnë këtu 3-6 muaj për t’u transferuar më pas. Ata që nuk kalojnë filtrat, do të mbeten të strehuar prej nesh. Dhe nuk do të kërkojmë para, as nga NATO as nga BE. Edhe pse s’janë pak para për arkën tonë. Por, si të shpjegojmë faktin që disa gazetarë vijnë këtu dhe nuk i shohin ata. Nuk shohin emigrantët që i janë vjedhur vdekjes, por shohin fantazma”.
Në nëntor të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane, Georgia Meloni, firmosën në Itali marrëveshjen për strehimin në vendin tonë, të emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Itali, deri në shqyrtimin e kërkesave. Më pas, në Shëngjin dhe Gjadër, nisi puna për ngritjen e strukturave akomoduese, që vetë Meloni i inspektoi sot nga afër, nëpërmjet një vizite blic.
Aktualisht, struktura pritëse e emigrantëve në portin e Shëngjin, është marrë në dorëzimin nga autoritetet italiane dhe ruhet nga policë italianë. Ndërkohë, në Gjadër, vijon procesi i ndërtimit të ambienteve akomoduese për emigrantët.
Top Channel