Përveç Atalanta-s dhe Fiorentina-s që kanë një ndeshje të prapambetur për të luajtur, pjesa tjetër e skuadrave të Serie A mbyllën sezonin 2023-2024.
Mbrëmjen e kësaj të diele u luajtën katër ndeshjet e fundit me Empoli-n që shpëtoi sezonin pas fitores 2-1 ndaj Roma-s.
Golat për Empoli-n e shënuan Cancellieri në minutën e 13’ dhe Niang në të 90+3’ teksa për Roma-n rrugën drejt rrjetës e gjeti Aouar në minutën e 45+1’.
Kështu pas ndeshjes së raundit të 38-të të Serie A, Empoli e mbylli sezonin në vend të 17-të me 36 pikë, duke shpëtuar sezonin në limite, teksa Roma e mbyll sezonin në vend të gjashtë me 63 pikë.
Lazio-Sassuolo u ndanë me barazimin 1-1 në javën e fundit të kampionatit, me golin që për vendasit e shënoi Zaccagni në minutën e 60’, teksa për miqtë Viti në minutën e 66’. Lazio e mbylli sezoni në kuotën e 61 pikëve, momentalisht në vend të shtatë, teksa Sassuolo ra nga kategoria dhe u rendit në vend të 19-të me 30 pikë.
Humbja 0-1 ndaj Udinese-s në javën e fundit të sezonit i kushtoi shumë Frosinone-s që u rrëzua nga Serie A. Golin e vetëm të këtij takimi e shënoi Davis në minutën e 76’.
Frosinone e mbyll sezonin në vend të 18-të me 35 pikë dhe bie nga kategoria, teksa Udinese e mbyll sezonin në vend të 15-të me 37 pikë.
Verona-Inter u ndanë me barazimin 2-2 në raundin e 38-të të Serie A. Golat për Verona-n i shënuan Noslin 16’ dhe Suslov 37’, teksa për Inter-in i realizoi Arnautovic në 10’ dhe 45+1’.
Verona e mbylli sezonin në vend të 13-të me 38 pikë, teksa kampionët e Inter-it e mbyllën në kuotën e 94 pikëve.
Top Channel