Rezoluta, sherr dhe pakt në Kuvend/ Opozita abstenon, por merr pjesë në komision, Rama: SPAK nuk preket

27/05/2024 19:55

Në fushën e shahut të politikës shqiptare në pamje të parë duket se ka një ngërç në bashkëpunimin e Rithemelimit me socialistët siç ndodhi me ngritjen e dy komisioneve hetimore apo me vijimin e reformës zgjedhore.

Në parlament është  diskutuar projekt rezoluta për thellimin e anti-korrupsionit me qëllimin final krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar ku socialistët pritet të ulen bashkë kolegët demokratë të Rithemelimit.

Kryeministri Edi Rama  e bëri të qartë se kjo përpjekje ka zero ndikim në punën e prokurorisë së posaçme SPAK.

  “Janë fantazuar qëllime të fshehta si vënia në kontroll e SPAK-ut apo është propaganduar se ne qenkemi kujtuar pas 10 vjetësh të luftojmë korrupsionin. Jo!

Ne jemi në luftë me korrupsionin që prej 10 vjetësh!

Prandaj ka ndodhur dhe reforma në drejtësi bashkë me lindjen e vetë SPAK-ut, i cili ka pasur, ka dhe do të ketë, të paktën deri sa të jem unë këtu, mbështetjen pa kushte të kësaj shumice.

SPAK-u është ilaçi i hidhur, që o e pi, o vdes dhe që kush e pi një herë po, e një herë jo, siç bëni ju të tjerët, jo nuk ka shans të vetëpastrohet dhe të vazhdojë vetëm përpara, por vetëm zgjat agoninë e vet dhe tretet siç po treteni ju tek “rrugica e shpresës”, tha Rama.

Ftesën për opozitën në të votuarin e kësaj rezolute Edi Rama e shoqëroi edhe me një paralajmërim çdo të ndodhë me Shqipërinë në të ardhmen.

Ashtu siç nuk u ndala reforma në drejtësi, as kjo nisëm e re në vazhdim të saj nuk ndalet, prandaj thirrja ime është votojeni sot draftin e rezolutës dhe po nuk e gjetët këtë forcë për ta bërë, mos e bojkotoni nesër Komisionin e Posaçëm Parlamentar që do të ngrihet menjëherë pas miratimit të saj. Sa herë që ju kam thënë në këtë sallë, kthejuni memories, 10 vjet e kusur, “mos e bëni këtë, mos bëni atë, këtë bëjeni, shikoni bëni këtë”, ka dalë siç iu kam thënë, jo siç keni bërë apo nuk keni bërë ju dhe e dini pse? Për një arsye shumë të thjeshtë. Jo se unë jam më i zgjuar apo më i zoti sesa ju, por sepse ju s’keni dashur kurrë ta mësoni se vendimmarrjet me shikimin deri tek hunda jote, rrugën që duket shumë e shkurt ta bëjnë pafundësisht të gjatë dhe prandaj ne jemi këtu dhe ju jeni aty.

Shëndet, me mend në kokë uroj se keni akoma shumë për të parë përpara se çfarë ne kemi nisur 10 vjet më parë të bitiset 5 vjet më pas kur flamuri i Shqipërisë, doni apo nuk doni ju, do jetë gati për t’u ngulur në oborrin e shteteve të Bashkimit Europian në Bruksel”, tha Rama.

Gazmet Bardhi i dha fund heshtjes për këtë çështje duke mos pranuar ftesën e Ramës për bashkëpunim. Të njëjtin qëndrim por me një ton më të ashpër mbajti Flamur Noka.

 Por burime nga të grupet parlamentare të PS dhe PD  i thanë Top Channel se vota abstenim nuk do të thotë që opozita do jetë bojkotuese në këtë proces që nis me ngritjen e një komisioni parlamentar për zbatimin e rezolutës.

Pakti i Rithemelimit me PS-në duket se është që deputetët e pakicës të jenë të angazhuar në këtë komisionin të posaçëm parlamentar, pavarësisht se siç thanë në seancë parlamentare, rezoluta nuk ka asnjë vlerë kur vjen si propozim i socialistëve.

Lulzim Basha nuk priti radhën të fliste në parlament por qëndrimin e shprehu përpara se t’i drejtohej seancës plenare.

“Por Partia Demokratike as nuk do të ngrejë kartonat as nuk bëhet pjesë dhe as nuk do të mbështesë, përkundrazi do të denoncojë  me forcë çdo përpjekje kundër drejtësisë e në veçanti kundër SPAK-ut që për momentin është institucioni kryesor për të mos thënë i vetëm që po arrin të godasë korrupsionin e lartë qeveritar”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA