Atalanta ia doli të shkruajë historinë, duke fituar trofeun e parë europian, pasi mposhti Bayer Leverkusenin me rezultatin e pastër 3-0 në finalen e Europa League mbrëmjen e të mërkurës në Dublin.
Suksesi i bergamaskëve ishte i pari nën drejtimin e Gasperinit dhe i dyti në historinë e klubit, pasi një Kupe Italie në 1963-shin e largët, megjithatë festa në kampin zikaltër duket se nuk është e plotë.
Kjo pasi e ardhmja e trajnerit Gasperini është në dyshim të fortë, me teknikun që joshet nga mundësia për të drejtuar një tjetër klub, një emër si Napoli, që i garanton shumë më tepër buxhet dhe cilësi për të garuar në nivele të larta.
Vetë trajneri pranoi pas finales se e ardhmja e tij është e komplikuar dhe se shumë shpejt pritet të ulet me drejtuesit e Atalantës për të marrë një vendim, që me gjasë do të jetë largimi.
“Situata ime është e komplikuar. Mund ta përshkruaj me atë të një burri që ka një grua dhe fëmijë në shtëpi, por ka i vjen një vajzë e re dhe e bukur që e fton në një tjetër aventurë. Do të flas me drejtuesit dhe do të marrim një vendim, por natyrisht që është e vështirë”, u shpreh Gasperini.
Në Itali janë të bindur se trajneri është joshur jo pak nga oferta e presidentit De Laurentiis, që i ka premtuar dorë të lirë në ndërtimin e skuadrës dhe buxhet për të afruar elementë cilësorë. Në orët e ardhshme pritet që Gasperini të takohet me presidentin e Atalantës, Percassi, për të marrë edhe vendimin përfundimtar sa i takon të ardhmes. /Supersport
Top Channel