Marc Cucurella dhe episodi me Donald Trump në Botërorin e Klubeve: Ai nuk donte të largohej nga podiumi….

15/07/2026 21:32

Marc Cucurella është i vetmi futbollist i kombëtares spanjolle që e di sesi mbyllet një finale botërori në Neë York. Përpara një viti, ai ngriti trofeun e Botërorit të Klubeve me Chelsea me MetLife Stadium dhe tani ai do të kthehet në të njëjtën skenë me një objektiv akoma më madhor; të fitojë Kupën e Botës me Spanjën.

Mbrojtësi spanjoll një prej emrave më të spikatur në këtë botëror për nivelin e tij konstant dhe vendimtar e di se çfarë e pret La Rojan nëse do të arrijë të fitojë titullin ditën e diel. Precedenti i vitit të kaluar ka më shumë paralelizma nga ç’duket. Skena është e njëjta…dhe protokolli pas ndeshjes zor se ndryshon. Madje edhe personi i ngarkuar për të dorëzuar trofeun nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë, do të jetë Donald Trump. Një imazh që Cucurella e përjetoi vetë personalisht dhe për të cilën ai tregoi një prapaskenë interesante.

‘Ne na thane se sipas normës, Donald Trump do të na jepte trofeun dhe ne nuk mund ta ngrinim atë deri sa të largohej ai-tregon Cucurella për median spanjolle. Plani ishte përpiluar mirë në perfeksion nga organizatorët, por nuk u realizua.

Kur përfundoi ceremonia, Trump qëndroi në podium, ndërsa Gianni Infantino përpiqej ta bindte për t’u larguar përpara se Chelsea të ngrinte trofeun. Nuk ndodhi. Presidenti amerikan vendosi që të qëndrojë me futbollistët gjatë festimit dhe përfundoi duke u shfaqur në fotot më ikonike të atij Botërori Klubesh.

‘Ishim të gjithë aty duke pritur që ai të largohej, por ai nuk donte të ikte dhe ne e shihnim, kurse ai na thoshte: ‘ngrijeni trofeun, unë rri këtu dhe pikë’’-vijon Cucurella

Përpara atij momenti u zhvillua një ndeshje që Chelsea e dominoi nga fillimi deri në fund. PSG vinte si kampion i Evropës dhe favorit për titullin pasi kaloi Realin e Madridit. Rezultati 3-0 reflektoi superioritetin e. një skuadre që premtonte shumë gjëra…dhe përfundoi duke dalë jashtë loje për çdo objektiv pas suksesit në edicionin e parë të Botërorit të Klubeve.

Ditën e dielë, Cucurella do të kthehet në një vend që ai e njeh. Përpara një viti u largua me një titull botëror në duar, tani ai do të tentojë ta bëjë të njëjtën gjë; këtë herë me fanellën Spanjës dhe me trofeun më të rëndësishëm të futbollit.

Top Channel