Egnatia dhe kualifikimi historik në Champions League, ja me cilën do të përballet në raundin tjetër
Egnatia nuk zhgënjen dhe bën historinë teksa kualifikohet për në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve. Skuadra rrogozhinase fitoi pastër në ndeshjen e kthimit me Petro Cub me rezultatin e thellë 6-1 për të mbyllur këtë raund me rezultatin e përgjithshëm 7-2.
Egnatia e nisi në mënyrë perfekte ndeshjen teksa që në minutën e dytë arriti të zhbllokojë rezultatin me Bitrin pas ekzekutimit të një goditje këndi. Petro Cub tentoi në minutën e 20 me Puskas, por Dajsinani devijoi në goditje këndi. Për Egnatian Bitri kërkoi të shënojë sërish me një gjuajtje me kokë por gjuajtja e tij përfundoi shumë pranë portës kundërshtare.
Megjithatë kampionët e Shqipërisë arriti të gjejë golin e dytë në minutën e 31 me Albanese që dërgoi në rrjetë një top të goditur nga distanca. Pak para mbylljes së pjësës së parë, skuadra e Nevil Dede shënoi e çoi rezultatin në 3-0 falë autogolit të Platikës dhe me ëto shifra skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes.
Në pjesën e dytë, Egnatia gjeti një tjetër gol, këtë radhë me Andrey Yago duke e çuar rezultatin në 4-0. Në minutën e 64 Petro Cub shkurtoi diferencën e golave në 4-1 me Rotaru, por Egnatia ishte e pangopur pasi në minutën e 87 plotësoi manitën duke shënuar me Bakayoko për të çuar shifrat në 5-1 ndërkohë që la shenjën e tij edhe Ildi Gruda që plotësoi rezultatin tenistik 6-1 dhe e sheh veten në raundin e dytë të kompeticionit
Top Channel