Buenos Aires në festë/ Qindra mijëra tifozë pushtojnë rrugët pas finales së Argjentinës: Kush nuk kërcen është anglez (Video)
Lionel Messi vazhdon të sfidojë kohën. Në moshën 39-vjeçare, kapiteni i Argjentinës ishte sërish vendimtar në fitoren 2-1 ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, duke e çuar kombëtaren e tij në finalen e dytë radhazi.
Me dy asistet e tij ndaj Anglisë, Messi ka shkuar në tetë gola dhe katër asiste në këtë Botëror, duke qenë ndër futbollistët më vendimtarë të turneut.
Në finalen e së dielës, Argjentina do të përballet me Spanjën, vendin ku Messi kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij me Barcelonën.
Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, nuk kurseu elozhet për kapitenin e tij.
“Është lojtari më i mirë në histori. Nuk e di çfarë tjetër duhet të bëjë për ta provuar këtë. Shumica e spanjollëve e duan Messin.”
Edhe analisti i BBC-së dhe ish-mbrojtësi anglez Micah Richards e cilësoi Messin si diferencën e madhe në fushë.
“Ata kanë Lionel Messin. Ata kanë GOAT-in, më të mirin e të gjitha kohërave. Këto janë momentet që e bëjnë diferencën. Kjo është arsyeja pse ai është mbreti.”
Pas golit të Anglisë në minutën e 55-të, Argjentina dominoi plotësisht ndeshjen. Gjatë 37 minutave të fundit të kohës së rregullt, skuadra amerikano-jugore mbajti 88% të zotërimit të topit, ndërsa Messi shkëlqeu nga krahu i djathtë.
Ai realizoi nëntë driblime të suksesshme dhe dha dy asistet e golave të Argjentinës, duke u bërë lojtari i parë, sipas statistikave që nga viti 1966, që arrin këtë shifër në një ndeshje me eliminim direkt të Kupës së Botës.
Portieri Emiliano Martinez zbuloi edhe çelësin e suksesit.
“Vendosja e Messit në krah ishte çelësi për ne.”
Edhe kapiteni i Anglisë, Harry Kane, pranoi ndikimin vendimtar të yllit argjentinas.
“Për pjesën më të madhe të ndeshjes e kontrolluam mirë, por lojtarët më të rrezikshëm në botë mjaftohen me një moment për të krijuar diçka. Messi është një nga më të mirët e historisë për një arsye.”
Top Channel