Në Francë e kapin me Olise: E vumë në një tryezë me Zidane e Platini, por nuk është as në kuzhinën e tij
Pavarësisht se hodhi në fushë një repart ofensiv me vlerë të përllogaritur 710 milionë euro, Franca nuk arriti të shmangte eliminimin nga Spanja në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Mediat spanjolle e cilësojnë paraqitjen e “Les Bleus” si një dështim të madh, ndërsa vlerësojnë organizimin perfekt taktik të iberikëve.
Sipas të dhënave të Transfermarkt, gjashtë sulmuesit e aktivizuar nga trajneri Didier Deschamps gjatë sfidës kanë një vlerë totale prej 710 milionë eurosh. Në krye të listës janë Kylian Mbappé dhe Michael Olise, të vlerësuar me nga 150 milionë euro secili. Pas tyre renditen Désiré Doué (120 milionë euro), Ousmane Dembélé (100 milionë euro), Rayan Cherki (90 milionë euro) dhe Bradley Barcola (70 milionë euro).
Megjithatë, ky potencial i jashtëzakonshëm nuk u shndërrua në epërsi në fushë. Analiza e medias spanjolle thekson se Deschamps u mbështet më shumë te cilësitë individuale të lojtarëve sesa te një skemë kolektive loje, ndryshe nga modeli i ndërtuar nga Luis Enrique te Paris Saint-Germain.
Në anën tjetër, Spanja zhvilloi një ndeshje taktike pothuajse perfekte. Mbrojtësit spanjollë neutralizuan yjet francezë me mbulim të vazhdueshëm dhe ndihmë të ndërsjellë në repartin defensiv.
Pedro Porro bllokoi Barcolën, ndërsa Marc Cucurella, me mbështetjen e Álex Baenës, arriti të frenonte Dembélén dhe Olisen, të cilët ndërronin vazhdimisht pozicionet. Ndërkohë, Mbappé u izolua nga Pau Cubarsí dhe Aymeric Laporte, të ndihmuar vazhdimisht nga Rodri dhe Fabián Ruiz, duke e bërë sulmuesin francez pothuajse të padukshëm në fushë.
Sipas analizës, edhe lojtarët ofensivë të Spanjës, si Dani Olmo, Mikel Oyarzabal dhe Lamine Yamal, kontribuan në fazën mbrojtëse, duke ndërtuar një mekanizëm kolektiv që i la shumë pak hapësira Francës për të rrezikuar.
Eliminimi i Francës ka shtuar gjithashtu zërat për fundin e epokës së Didier Deschamps në pankinën e kombëtares, me emrin e Zinedine Zidane që vazhdon të përmendet si kandidati kryesor për ta pasuar në drejtimin e “Les Bleus”.
Top Channel