Yamal i shkaktoi makth/ Pse Digne dhe jo Theo? Çfarë fshihet pas zgjedhjes fatale që eliminoi Francën nga Kupa e Botës

16/07/2026 07:54

Lucas Digne u shndërrua në një nga lojtarët më të kritikuar të Francës pas humbjes në gjysmëfinalen e Kupës së Botës ndaj Spanjës. Përballja me talentin e Barcelonës, Lamine Yamal, rezultoi tepër e vështirë për mbrojtësin francez, i cili u mund disa herë në duel dhe shkaktoi edhe penalltinë që zhbllokoi ndeshjen në favor të spanjollëve.

Situata ndryshoi vetëm pas hyrjes në fushë të Theo Hernandez. Ish-mbrojtësi i Milanit u shfaq më i sigurt në mbrojtje dhe më aktiv në sulm, duke kufizuar më mirë lëvizjet e Yamal. Kjo bëri që zgjedhja fillestare e trajnerit Didier Deschamps për të aktivizuar Digne të vihej edhe më shumë në diskutim.

Megjithatë, dilema për pozicionin e mbrojtësit të majtë nuk është e re në kombëtaren franceze. Gjatë muajve të fundit, Digne dhe Theo Hernandez janë alternuar vazhdimisht në formacion, pa arritur ta bëjnë vendin e tyre të padiskutueshëm.

Në ndeshjet përgatitore para Botërorit, të dy ndanë minutat në mënyrë të barabartë. Theo nuk bindi plotësisht pas transferimit në Arabinë Saudite, ndërsa Digne nuk përfitoi nga mundësitë që iu dhanë, duke shfaqur pasiguri në disa ndeshje.

Edhe gjatë turneut, Deschamps provoi të dy futbollistët. Theo luajti ndaj Senegalit, ndërsa Digne mori minuta kundër Irakut. Më pas ish-lojtari i Milanit u rikthye titullar ndaj Norvegjisë, por shkaktoi një penallti, çka e shtyu stafin teknik të rikthehej sërish te Digne në fazën me eliminim direkt.

Në çerekfinale dhe gjysmëfinale, mbrojtësi i Aston Villas ruajti vendin në formacion, por paraqitja ndaj Spanjës rezultoi zhgënjyese. Dueli me Lamine Yamal u kthye në një makth, ndërsa zëvendësimi i tij me Theo Hernandez nxori edhe më shumë në pah vështirësitë që pati gjatë ndeshjes.

Gazeta franceze L’Equipe e vlerësoi Digne me notën 2, ndërsa media italiane La Gazzetta dello Sport i dha notën 3, duke e cilësuar një nga më të dobëtit në fushë.

Sipas mediave franceze, pozicioni i mbrojtësit të majtë mbetet një nga problemet më të mëdha të “Les Bleus”, ndërsa trajneri i ardhshëm, Zinedine Zidane, pritet të gjejë një zgjidhje më të qëndrueshme për këtë rol.

Top Channel