Kryeministri Edi Rama së shpejti ekspozitë në Paris, në një nga galeritë më prestigjioze të botës

23/05/2024 13:45

Edi Rama riktheu në kujtesë artistin që qëndron pas kryeministrit, me një ekspozitë të artit bashkëkohor, një shkulm befasues ngjyrash e formash, që përfshin punime në qeramike, murale e deri edhe qëndisma të realizuara mbi konceptin origjinal të tij.

Kreu i ekzekutivit i rikthehet bashkëpunimit me galerinë prestigjioze “Marian Goodman”, këtë herë në degën e saj në Paris. Jo më larg se në muajin shtator, Rama pati rrëfyer në podcastin e tij “Flasim” sesi kishte bashkëpunuar në 2016-tën me “Marian Goodman” në New York.

Një përfaqësues i galerisë së famshme të artiti kontemporan e kishte kontaktuar, dhe ai kishte menduar fillimisht se mund të bëhej fjalë për një shaka. Por tani, ekspozon sërish për të, këtë radhë në kryeqendrën e rëndësishme të kulturës botërore, duke dëshmuar edhe këtë herë se po me aq lehtësi sa ç’mban në dorë penën e politikanit, mban dhe lapsin e artistit.

Marsin e vitit të kaluar, kryeministri Rama e nisi vizitën e punës në Athinë, Greqi me çeljen e një ekspozite me vepra artistike të realizuara prej tij, në Zappeion Megaron, e cila u mirëprit dhe vlerësua nga të pranishmit e nga personalitete të larta të politikës greke.

Në këtë mënyrë, shefi i ekzekutivit shton listën e ekspozitave të tij mbresëlënëse, si vazhdë e pjesëmarrjes në 2017-tën në ekspozitën kryesore Viva Arte Viva të Bienales së 57-të të Venecias, në 2018 ekspozoi në Kunsthalle në Rostock të Gjermanisë, ndërsa punimet e tij janë prezantuar gjithashtu në Art Basel dhe Artissima.

Top Channel