Analiza e BBC/ Si po i përdor Rusia fitoret në Luftën e Dytë Botërore për të sulmuar Ukrainën? Paralajmërimi i Putinit për Perëndimin

09/05/2024 15:03

Parada vjetore ushtarake e Sheshit të Kuq ishte ndryshe këtë herë, dhe jo vetëm për shkak të stuhisë së pranverës. 9000 njerëz marshuan në shesh. Ndonëse janë shumë, mbetet një shifër më e ulët krahasuar me vitet e mëparshme.

Edhe pajisjet ushtarake që u ekspozuan ishin më pak, tanku i vetëm i nxjerrë në shesh ishte një T-34.

Fokusi i paradës ishte lufta në Ukrainë dhe mes pjesëmarrësve ishin edhe ushtarë rus që luftojnë në shtetin fqinj.

“Ne shënojmë Ditën e Fitores në kohën kur po kryejmë Operacionin Special Ushtarak. Ata që marrin pjesë në vijën e parë, jaën heronjtë tanë”, tha Presidenti Vladimir Putin në fjalimin e tij në Sheshin e Kuq.

Më tej, Putin paralajmëroi Perëndimin. “Rusia do të bëjë gjithçka për të shmangur një konfrontim global. Por në të njëjtën kohë, ne nuk do të lejojmë askënd të na kërcënojë. Forcat tona strategjike janë gjithmonë në gatishmëri luftarake”, tha kreu i Kremlinit.

Ditët e fundit Rusia ka akuzuar vendet perëndimore, duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe Francën, për kërcënime ndaj Rusisë. Presidenti Emmanuel Macron nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë.

Nën drejtimin Vladimir Putin, Dita e Fitores është bërë festa më e rëndësishme laike e Rusisë, që kujton jo vetëm mposhtjen e Gjermanisë naziste, por edhe koston e madhe njerëzore të asaj fitoreje, më shumë se 27 milionë qytetarë sovjetikë të vrarë në atë që njihet këtu si Lufta e Madhe Patriotike.

Por, në shumë mënyra, Dita e Fitores nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën, shkruan BBC në një analizë. Nëse ky vend sot ka ndonjë lloj ideje kombëtare, është ideja e fitores. Rusëve u thuhet vazhdimisht se gjatë gjithë historisë, vendi i tyre është sulmuar nga armiqtë jashtë vendit, si Napoleoni dhe Hitleri, por kanë dalë fitimtar. Por, rusët, jo vetëm po e kujtojnë të shkuarën, por po e përdorin për të justifikuar të tashmen. Autoritetet duan që publiku rus ta shohë luftën në Ukrainë si një vazhdimësi të Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë që rusët të besojnë se edhe një herë forcat e jashtme po luftojnë për të shkatërruar Rusinë. Armiqtë e sotëm janë Ukraina dhe Perëndimi.

Në realitet, ishte Rusia ajo që aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina në vitin 2014 dhe ndërhyri ushtarakisht në Donbas. Dhe në vitin 2022 ishte Presidenti Putin ai që urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, vazhdon analiza.

Pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, për dekada me radhë rusët thoshin se ishin të gatshëm të duron gjithçka, vetëm që të mos ketë më luftë. Me lot në sy, ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev tha se “nuk ka më luftë”, por realiteti tani është ndryshe. Ajo që po ndodh në Rusi është normalizimi i luftës në një vend që ka vuajtur kaq shumë nga luftërat në të kaluarën e vet.

Top Channel