Fiks Fare/ Zbulohet mashtrimi! Merr 7 milionë lekë për rindërtimin e shtëpisë, por nuk bën asgjë. Paratë me deklaratë noteriale, pa firmë e vulë noteri

01/05/2024 20:40

Emisioni Fiks Fare solli rastin e një familje nga Lezha të mashtruar nga një firmë ndërtimi me sipërmarrës Ermir Lesaj.

Madalena Luca tregon  se inxhinieri, njëkohësisht sipërmarrësi i një firme ndërtimi i ka mashtruar . Ajo thotë  se shtëpia e saj e prishur nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 është financuar për rindërtim nga grantet e rindërtimit, dhe kështu në bazë të një kontrate të nënshkruar që në mars të vitit 2021 me Bashkinë Lezhë, ajo do përfitonte rreth 26 milionë lekë të vjetra, nga të cilat ka marrë 15 milion.

Madalena tregon se që të niste rindërtimin duhet të gjente një firmë ndërtimi, kështu u lidh me firmën ALBSTART 2009 shpk, me sipërmarrës z.Ermir Lesaj.

Ky i fundit i ka marrë kësaj familje 6 milion e 700 mijë lekë prej më shumë se dy vitesh dhe nuk ka kryer asnjë punim . Por edhe pse nuk ka vënë sikur një tull, sot nuk i kthen paratë. Madje këto para i ka marrë me një deklaratë e cila është marrë në një zyrë noterie, por nuk ka as firmën as vulën e noterit. Pra deklaratë noteriale nul.

Znj.Luca thotë se e ka telefonuar disa herë Ermirin, por ai nuk i përgjigjet ose kur i përgjigjet thotë do t’i kthej paratë ndërkohë nuk ja kthen, por e mashtron.

Fiksi solli fakte që z.Lesaj nuk i përgjigjet familjes që i mori paratë ndaj këta të fundit shkuan dhe e kërkuan në fshatin e tij, në Zejmen.

Babai i inxhinierit i dha të drejtë qytetares madje premtoi se do t’i ktheheshin paratë.  Kështu më në fund u bë i mundur edhe takimi me Ermirin, ky i fundit si fillim u ankua për zgjatjen e procedurave në dhënien e lejes, por më vonë pranoi gabimin e tij.

Ndërkohë që Ermiri ankohej për zgjatjen e procedurave nga bashkia. Ndërkohë nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Elson Frroku në një takim me qytetaren dhe inxhinierin, thotë se për të ka patur dhe ankesa të tjera, madje edhe e kanë telefonuar, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Fiksi solli edhe ballafaqimin e qytetares me noteren se përse aty u dha një deklaratë pa firmën e saj.

Por noterja fajësoi asistentin duke i thënë përse printove këtu një dokument të tillë, ne nuk japim atë lloj shërbimi.

Gazetarët e Fiksit kërkuan takim me inxhinierin i cili në fillim nuk donte t’i takonte, por më vonë pranoi. Takimi u bë në një rrugë të qytetit pasi firma nuk kishte zyra fikse. Madje inxhinieri shkoi në takim pasi ritakoi qytetaren dhe i kërkoi që gazetarëve t’ju thoshte që i kanë sheshuar gjërat.

Në përballjen me gazetarët z.Leskaj premtoi se do kthente paratë, gjithashtu pranoi se deklaratën e ka kërkuar ai në atë lloj mënyre pa firmë e vulë.

Top Channel