Bëri arratisjen spektakolare nga fugoni i policisë, kush është i burgosuri që u ndihmua nga persona të maskuar dhe armatosur

15/05/2024 09:46

Mohamed Amra i njohur me nofkën “Miza” i cili u arratis ditën e djeshme nga policia teksa po transportohej në një burg tjetër të Francës, ka një të kaluar kriminale në grabitje dhe krime të tjera.

Gjatë arratisjes ditën e djeshme mbetën të vrarë dy efektivë policie dhe u plagosën tre të tjerë , ndërkohë që menjëherë nisën kërkimet menjëherë të autorit. Mohamed Amra 30 vjeç u ndihmua nda disa persona të maskuar të cilët sulmuan automjetin e burgut në autostradën A154 pranë Incarville në veri të Francës.

 

Dokumenti i tij penal, përfshin të paktën 13 dënime për kundërvajtje (drejtim pa leje, vjedhje, rezistencë ndaj autoritetit dhe sjellje fyese), por edhe për trafik droge. Ai nuk ishte i regjistruar si i burgosur i radikalizuar.

Një burim policor e përshkroi atë për Le Parisien si kreun e një rrjeti të trafikut të drogës , ndërsa BBC shton se ai kishte lidhje me grupet mafioze në Marsejë.

 

Niveli i tij i mbikëqyrjes së fundmi ishte rivlerësuar në ‘nivelin 3’ (nga 4), gjë që kërkon praninë e pesë rojeve të burgut dhe një oficeri gjatë lëvizjeve të tij. Pak para arratisjes, Amra ishte paraqitur para një hetuesi në Rouen, i cili po heton një rast të rrëmbimit dhe tentativës për vrasje . Arratisja ndodhi kur Amra po kthehej në burgjet e Evresë.

Amra ishte në gjyq të premten e kaluar për grabitje të rëndë (vjedhje nga supermarkete dhe biznese në periferi të Evre midis gushtit dhe tetorit 2019). Ai u ndoq penalisht për shtatë vepra, u shpall i pafajshëm për katër prej tyre dhe përfundimisht u dënua me 18 muaj burg, megjithëse prokuroria kishte kërkuar 24 muaj.

Rasti i vrasjes, për të cilin po hetohej së fundmi, është ai i një burri në Auban, në jug të Francës, më 17 qershor 2022. Ngjarja lidhet nga autoritetet me trafikun e drogës.

Si ndodhi arratisja

Arratisja e përgjakshme me viktimat e dy punonjësve sofronistë, 52 dhe 35 vjeç, ndodhi në qytetin Evreux në Normandi , kur fugoni me të cilin po transportonin të burgosurin u sulmua nga një person i armatosur  mëngjesin e së martës. .

Nga sulmi u plagosën edhe tre persona, dy prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa i treti doli nga spitali. Sipas një burimi policor të kontaktuar nga AFP, sulmi u krye nga “një grup prej disa kriminelësh” , të cilët përdorën dy automjete. Një nga ato automjete u gjet i djegur menjëherë pas sulmit, në një vend të pazbuluar. Të njëjtat burime theksuan se edhe kriminelët janë arratisur, ndërsa njëri prej tyre ka mbetur i plagosur.

Ndërkohë, policia lokale e Herves ka nisur një plan të posaçëm për të gjurmuar të burgosurin 30-vjeçar të arratisur dhe banditë të armatosur. Në këtë kuadër janë mobilizuar 200 punonjës policie , të cilët po “krehin” zonën e gjerë.

 

Top Channel