Atentati ndaj kryeministrit të Sllovakisë, reagon Edi Rama: I shokuar nga sulmi, i uroj shërim të shpejtë mikut tim

15/05/2024 19:25

Kryeministri Edi Rama ka dënuar atentatin ndaj kryeministrit sllovak, Robert Fico.

“Jam thellësisht i tronditur dhe i pikëlluar nga lajmi i makthshëm i sulmit ndaj kryeministrit të zgjedhur në mënyrë demokratike të Sllovakisë. Roberti është një i mbijetuar i fortë dhe një mik i dashur, dhe unë shpreh urimet e mia të përzemërta për një shërim të shpejtë dhe një rikthim të jashtëzakonshëm”, shkruan kreu i qeverisë në platformën “X”.

Kryeministri Robert Fico u qëllua disa herë me armë zjarri, një sulm i ndodhur në Handlova pas një mbledhjeje të qeverisë. Trupin e tij e kanë përshkruar disa plumba, e pohuar kjo nga qeveria në Bratislavë përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook. Fico është aktualisht në spital, ku mjekët po përpiqen me të gjithë forcat t’i shpëtojnë jetën, por gjendja e shefit të ekzekutivit sllovak përshkruhet si kritike. Një zëdhënës i ministrisë së brendshme e pohoi hapur se ky ishte një atentat i qëllimshëm ndaj jetës së kryeministrit. Goditjet kanë qenë në stomak, krah dhe këmbë. Gazetarët, që ndodheshin në ato momente në vendngjarje për të ndjekur takimin qeveritar, thanë se pati disa të shtëna, e më pas Fico u pa teksa futej në makinë nga rojet e sigurisë, ndërsa mjeti u largua me shpejtësi nga vendngjarja. Policia ka arrestuar shkrimtarin 71 vjeçar Juraj Tsintula si i dyshuari i kësaj ngjarjeje.

Presidentja Zuzana Caputova e dënoi atë që e cilësoi “një sulm të pamëshirshëm” ndaj kryeministrit. “Jam e tronditur”, tha kryetarja e shtetit. “I uroj Robert Ficos shumë forcë në këtë moment kritik dhe rikuperim të shpejtë nga ky sulm”. Menjehërë reagoi edhe Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e dënoi sulmin si “të pështirë”. Të tilla akte dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe minojnë demokracinë, vlerën tonë më të çmuar të përbashkët”, shkroi ajo në shërbimin online X .

“Asgjë nuk mund të justifikojë kurrë dhunën apo sulme të këtij lloji“, deklaroi presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel. Fico rimori detyrën e kryeministrit në tetor 2023 dhe ka qenë kryeministër i Sllovakisë edhe në vitet 2006 deri më 2010 dhe 2012 deri më 2018, kur u detyrua të jepte dorëheqjen pas vrasjes së gazetarit Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij. Gazetari kishte qenë duke hetuar lidhjet mes mafies italiane dhe partisë së Ficos në pushtet.

Top Channel