Qeveria amnisti për pronat, gati projektligji që u jep të drejtë qytetarëve të rivlerësojnë pasuritë me normën 3%

15/05/2024 19:37

Në parlament është depozituar nisma për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme duke përfshirë, banesa, njësi tregtare apo troje, me normën 3%.

Nga hyrja në fuqi e ligjit deri në 30 qershor të vitit të ardhshëm, qytetarët do të kenë mundësinë të kryejnë rivlerësimin e banesave të tyre nga Kadastra me vlerën e tregut.

Nisma e deputetëve socialistë vjen një vit përpara zgjedhjeve elektorale parlamentare, ndërsa kjo çliron individët, por edhe kompanitë nga barra e tatim-fitimit me normën 15%, sipas udhëzimit të vendosur fundin e vitit të kaluar. Kur prona rivlerësohet, qytetarët që vendosin t’i shesin nuk paguajnë më tatim për diferencën mes çmimit të blerjes dhe shitjes.

Ekspertët e shohin si një iniciativë pozitive që do të rigjallërojë transaksionet në tregun e pasurive të paluajtshme.

“Është e qartë që kur ofrohet një mundësi me 3% qytetarët e rivlerësojnë pasurinë dhe e hedhin në treg dhe ky treg performon. Në të njëjtën kohë kemi vënë re se kur mbaron fushata e rivlerësimit ka pasur ulje të të ardhurave të arkëtuara nga shteti. Atë që ne vërejmë është se sot ka një hapësirë prej 37% të taksave që shteti do duhej të kishte arkëtuar.”- u shpreh Reinaldo Pipirea nga Shoqata e pasurive të paluajtshme “NAREA”.

Kjo është hera e katërt që qeveria shqiptare aplikon një amnisti fiskale për pronat. Agjentët e tregut vlerësojnë se duhet ndryshuar ligji për të ulur barrën tatimore.

“Në momentin që ke taksën 15% kjo të step për ta mbajtur pronën pezull, si një nga faktorët pse ka pasur rënie të numrit të transaksioneve. Ne propozojmë që strehimi nuk duhet të tatohet fare, në rast të një pamundësie për ta aplikuar këtë për titujt e pronësisë, patjetër që e udhët do të ishte që taksa të mbeste në vlerën 3%, por pa kaluar 5%. Kjo do ta sillte tregun në vlera reale dhe nuk do kishte më iniciativa për të kryer shmangie të tatimit. Dhe duke e dërguar tregun në vlerat reale do të ishte shumë më e thjeshtë për vendimmarrjen sa ishte çmimi në treg dhe të vendoste barra të përkora fiskale për sa i përket tatimit të pronës.”- shtoi ai.

Shifrat nga Tatimet kanë treguar se me nismën e rivlerësimit të pasurisë, në shtet janë derdhur gjithnjë më shumë taksa. Kështu, nga 2020 deri në mesin e 2022-it që zgjati periudha e fundit e rivlerësimit, arkëtimet nga taksa e pronës u rritën nga 130% – 150%, për të rënë në 2023-shin me 23%.

Top Channel