Gjyqi ndaj ish-presidentit Trump, një person i vë flakën vetes jashtë ndërtesës në Nju Jork ku mbahej seanca gjyqësore

19/04/2024 20:08

Një burrë i ka vënë flakën vetes të premten në drekë jashtë gjykatës së Manhatanit, ku ish-presidenti Donald Trump po gjykohet për një çështje për dyshimet mbi mashtrim me faturat e biznesit të tij.

Fotot e personit në flakë u transmetuan drejtpërdrejt në televizion dhe u përhapën në rrjetin social X.

Incidenti ndodhi pikërisht kur gjyqtari Juan Merchan po pushonte për drekë në ditën e tretë të gjyqit të ish-presidentit Trump për mashtrim, pak pasi u zgjodh një juri e plotë prej 12 anëtarësh dhe gjashtë zëvendësues.

Ngjarja ndodhi në një zonë të rrethuar të sheshit, afër vendit ku një numër i vogël protestuesish janë mbledhur çdo ditë që nga fillimi i gjyqit të hënën, përveç ditës së pushimit të së mërkurës.

Mediat e huaja shkruajnë se të pranishmit përshkruajnë momentin duke u shprehur se kishin parë një burrë të gjunjëzuar në tokë në flakë.
Komentuesit e televizionit e përshkruan skenën teksa një numër oficerësh policie vrapuan drejt tij. Nuk dihet ende se çfarë e ka sjellë ngjarjen apo lidhjen që mund të ketë me gjyqin e ish-presidentit Trump.

Personi i djegur mori kujdes mjekësor dhe u largua nga zona. Gjykata në Nju Jork është tashmë nën masa sigurie të shtuar, duke pasur parasysh praninë e ish-presidentit në sallën e gjyqit çdo ditë.

Top Channel