Marrëdhëniet mes SHBA dhe Kinës, kongresmenia Hartzler: Më kanë mohuar të drejtën për të marrë vizë pas raportit që bëra për popullatën, por…

01/04/2024 21:32

Kongresmenia amerikane Vicky Hartzler në një intervistë të dhënë në Top Story me Grida Dumën, në Top Channel.

Gjatë intervistës ajo tështë ndalur te raportet e SHBA dhe Kinës, si dhe mohimin për të marrë vizë që Kina i ka bërë kësaj të fundit.

Pjesë nga intervista:

Duma:  E kuptoj. Tani të kalojmë në një pikë tjetër. Folëm mjaftueshëm për çështjet familjare. Po për problemet me Kinën, sanksionet. Ju dhe një koleg tjetër po e theksoni më fort rolin e qeverisë, monitorimin e lëndëve kimike e farmaceutike që futen në SHBA. Pse është kjo?

Hartzler: Kina është shqetësim për amerikanët e duhet të jetë në të gjithë botën. Kërkojnë të jenë fuqia mbizotëruese në botë. Sistemi i tyre qeveritar nuk është i mirë, nuk mbështet lirinë mes popullatës. Mora pjesë në një komitet në lidhje me Kinën, u caktova si anëtare e Kongresit, dhe një nga detyrat ishte përgatitja e një raporti vjetër për abuzimet e të drejtave të njeriut në Kinë. Ekspozuam gjenocidin e grupeve më të dobëta myslimane në provincën Zhing Zhang, se si futen në kampe përqendrimi, se si i detyrojnë gratë të bëjnë aborte e të sterilizohen që të asgjësohet ai grup i popullatës. Për shkak të këtyre dhe aborteve të detyruara që kemi bërë, pasi raporti ynë e zbuloi se çfarë po bënin, Kina na sanksionoi.

Duma:  Çfarë do të thotë ky sanksionim?

Hartzler: Pyetje e mirë. Mendoj se praktikisht do të thotë që s’marr dot vizë për të udhëtuar në Kinë, po të doja. Dhe pse s’kam ndonjë plan për të udhëtuar në Kinë, gjithsesi. Është një përpjekje e tyre për të qenë negativë ndaj meje, por unë e mbaj si medalje nderi. Kur mbështes jetën dhe njoftoj botën për rreziqet që na sjell ky vend, është diçka për të cilën duhet të jem e nderuar, jo të shqetësohem. Prandaj na sanksionoi Kina, dhe si anëtare e Komitetit të Armatosur, jemi të përqendruar për sigurinë kombëtare, për atë që bën Kina ushtarakisht. Ata kanë në plan të mbizotërojnë botën. Është një seri videosh me katër pjesë që kam krijuar dhe që është ende në Facebook, ku flas për kërcënimet ushtarake, kërcënimet ekonomike, pushtetin e butë, abuzimet, propagandën që ushtrojnë dhe abuzimet me të drejtat e njeriut. Por mua më shqetëson dhe nisma e tyre Brezi dhe Rruga.

DUMA:  Pra, janë shqetësime që duhen marrë parasysh për t’u ngritur në Kongres. Dhe pse e keni ndarë opinionin publik në mënyra të ashpra: familja dhe jo diçka tjetër; Amerika dhe jo Kina… megjithatë duhej të rrinit dhe për një tjetër mandat. Çfarë ndodhi që nuk e vazhduat mandatin në Kongres? Shkruat një letër kritike ndaj Donald Trump?

Hartzler: Unë kandidova për Senatin. Çdo shtet ka dy senatorë dhe njëri nga senatorët doli në pension, ndaj ishte një mandat i lirë. Mund të kandidoja prapë për mandatin tim. Kisha fituar gjashtë herë me mbi 50% të votave. Por zgjodha të kandidoj për në Senat, që të përfaqësoj të gjithë Misurin. Sepse i përfaqësoja banorët e Misurit në shumë fusha. Në bujqësi, në fushën ushtarake. Kam bërë shumë për të ndihmuar veteranët dhe për të punuar kundër varësisë ndaj drogës. Kam punuar me institucione të ndryshme. Vendosa të kandidoj për senatin. Zgjedhjet paraprake ishin shumë të forta. Republikanët patën 21 kandidatë. Po përpiqeshim të merrnim vota. Shumë njerëz më këshilluan të flas me presidentin Trump. Dhe e bëra, pasi kam pasur marrëdhënie pune me të gjatë mandatit. Por në përfundim mbështeti një kandidat tjetër, kryesisht për shkak të kritikave që i bëra pas 6 janarit, për mënyrën se si u soll dhe për atë që ndodhi atë ditë. S’i pëlqeu që e kritikova për këtë çështje ndaj mbështeti kundërshtarin tim, që fitoi zgjedhjet.

DUMA:  Tramp duket se e ka këtë, ose me mua, ose kundër meje. Por për çfarë ishte letra. Sa kundër ishit sjelljes së tij për 6 janarin.

Hartzler: Marrim mbi një mijë letra në javë nga zgjedhësit, si anëtare e Kongresit, për çështje të ndryshme. Por siç mund ta përfytyroni, sulmi te Kongresi më 6 janar, kur dhe unë isha brenda gjatë ngjarjes, ishte diçka  shumë trazuese. Ishte shumë e frikshme. Nuk e dinim ç’po ndodhte. Ishim në sallë, duke lexuar rezultatin e zgjedhjeve dhe duke pranuar votat për shtete të ndryshme, po votonim nëse duheshin pranuar apo jo. Na njoftuan që një turmë kishte sulmuar ndërtesën. S’e dinim kush ishte turma. Na mbyllën brenda, dëgjuam të bërtitura, se si i binin derës së sallës. Na thanë të bëheshim gati të vetëmbroheshim. Ishte shumë e frikshme. Pastaj na evakuuan dhe dolëm nga shkallët. Shkuam në një vend tjetër dhe vetëm aty pamë videot në telefon për atë që po ndodhte jashtë, me gjithë ata njerëz. Ishte trazuese të shihje të ndodhte kjo gjë ndaj Kongresit të vendit tënd. Ishte e trishtë të shihje se njerëzit që e bënin ishin nga partia ime, mbështetës të presidentit tim. Ishte zhgënjyese. Pas kësaj morëm shumë letra nga njerëzit e qarkut tim. Shumë ishin të mërzitur për ngjarjen. Nuk donin që të votoja për hetim ndaj presidentit. U shkrova një letër publike ku shpjegova se pse votova të mos certifikohen disa shtete pas votimit, pasi kisha shqetësime për mënyrën se si ishin organizuar zgjedhjet në nja dy shtete. E shpjegova këtë dhe thashë që nuk isha dakord me të gjitha gjërat që tha Trump atë ditë. I dënova komentet e tij, mënyrën se si trajtoi zv/Presidentin Majk Pens, të cilin e kam mik. Presidenti s’i pëlqeu ato dy fjali, kur thashë që e dënoja atë që kishte thënë. Vendosi të më kritikojë mua në fushatë dhe mbështeti kundërshtarin.

DUMA:  Mendoni se do të jetë kandidati fitues në zgjedhje?

Hartzler: Mendoj se do të kryesojë në zgjedhjet e republikanëve. Do të jetë një përballje e dytë interesante me Bajdenin. Mendoj se Tramp ka shumë gjasa të fitojë. Dhe pse s’jam dakord me atë që ndodhi më 6 janar, i mbështes qëndrimet politike të presidentit Tramp, dhe vendi ynë ka sërish nevojë për to. Mezi pres që të shoh rimëkëmbjen e ekonomisë sonë. Me Bajdenin kemi pasur 75% inflacion. Familjet mesatare amerikane paguajnë 1000 dollarë më shumë për të njëjtat produkte që blinin para se të vinte ai në zyrë. Rrogat nuk janë rritur shumë. Pra, ekonomia ka pasur rënie. Kemi kufi të hapur me 7.5 milionë njerëz që kanë hyrë nga kufiri jugor brenda vendit tonë. Mbi 300 prej tyre janë kapur pasi ishin në listën e të vëzhguarve. Rreth 20 mijë janë nga Kina. Siguria kombëtare është në rrezik, ngaqë presidenti Bajden zhbëri politikat e Trampit që i mbanin larg. Pra, Tramp ishte i dobishëm për ekonominë dhe sigurinë e vendit. Rindërtoi ushtrinë dhe mbështeti ruajtjen e jetës nga aborti. Unë i mbështes ato politika dhe shpresoj që po të rizgjidhet…

DUMA:  Janë të gjitha këto qëndrime politike të Trampit afatgjata? Sepse Partia Demokratike mund të thotë që Amerika është bërë si komb nga puna e lirë e emigrantëve, një vend ku pandemia, që menaxhoi Tramp për të ruajtur ekonominë, u ndoq nga një inflacion që s’mund të shmangej. Po të hedhësh para në treg, kur janë para banke dhe jo para tregu, vetëm për të mbështetur njerëzit gjatë pandemisë dhe krizës, ato s’janë para ekonomie të vërtetë, ndaj kjo sjell rënie të ekonomisë, për shkak të parave të hedhura në treg  në atë mënyrë. Mund të thonë që vendi ka më shumë nevojë për emigrantë sepse kufijtë u mbyllën gjatë pandemisë, etj. Mund të thonë shumë gjëra kundërshtarët. Mendoni se janë strategji afatgjata për SHBA, ato të mbështetura nga Tramp?

Hartzler: Ekonomia po shpërthente para pandemisë. Kishte më shumë vende pune, rrogat po rriteshin, për shkak se ulëm taksat. Dhe unë e mbështeta atë ligj, pasi ulja e taksave ndikon për mirë në ekonomi. Gjërat po shkonin mirë. Pandemia ndodhi dhe la pasoja shkatërruese në të gjithë botën. Kongresi futi para për të ndihmuar individët dhe bizneset, gjë që sjell inflacion. Por ajo që bëri Bajdeni, ishte që në vend ta ndalonte pasi pandemia mori fund, paratë kishin dalë tashmë –  unë s’isha dakord me gjithë ato shpenzime, por paratë ishin në qarkullim – ai miratoi një ligj tjetër për uljen e inflacionit, por që e shtoi inflacionin edhe më shumë. Shpenzoi dhe më shumë para, gjë që unë e votova kundër. Por ai këmbënguli fort dhe ai ligj e shtoi inflacionin. Është shumë përgjegjës për inflacionin që kemi tani, sepse kishte nisur kthimi në normalitet dhe ai e ndaloi. Bajdeni është përgjegjës personalisht për inflacionin. Sa për emigrimin, Amerika nuk mbahet nga puna e lirë e emigrantëve. Ka shumë vende pune të lira dhe kemi nevojë për emigrim të ligjshëm. Unë mbështes ndryshimin e ligjit për të lejuar më shumë emigrantë që të vijnë në mënyrë të ligjshme, pasi e kemi të nevojshme. Por presidenti Bajden ka hapur kufirin, gjë që s’ndihmon fare. S’e dimë se çfarë ndodh me ata njerëz që futen. Kapen dhe lirohen sërish. Me presidentin Tramp duhej të rrinin në Meksikë kur prisnin për azil, dhe duhej të prisnin të dilnin në gjyq për të verifikuar nëse kërkesa ishte e vlefshme, nëse do të lejoheshin të vinin apo jo. Por ai po i lejon njerëzit të futen dhe ata nuk punojnë. Nuk kanë viza pune, por rrinë në tenda të cilat duhet të paguhen nga taksapaguesit.

DUMA:  Masat që ka përdorur Departamenti i Shtetit së fundmi në lidhje me Ballkanin Perëndimor, jo vetëm SHBA por dhe Britania e Madhe. Një sanksion i quajtur “Non grata”. Kemi një farë ideje për sa i përket kongresit dhe departamentit të shtetit. Janë të informuar kongresmenët për masat që janë marrë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor? Sepse bëhet fjalë për deputetë të opozitës që kanë biseduar me kongresmenë në SHBA dhe po thonë që qëndrimi i tyre është ndryshe nga ai i Departamentit të Shtetit. Disa kongresmenë kanë tjetër qëndrim, nuk janë dakord me këto sanksione. Si i shihni këto sanksione? Janë të dobishme, dhe a janë të informuar kongresmenët?

Hartzler: Zakonisht, kongresmenët nuk janë në dijeni të sanksioneve që vendos Departamenti i Shtetit, pasi jemi të përqendruar për qarqet tona legjislative. Nëse s’na e thotë dikush, shpesh nuk jemi në dijeni. Shpesh mund të ketë dhe qëndrime ndryshe nga Departamenti i Shtetit, sidomos kongresmenët e opozitës. Shumë republikanë në kongres mund të mos i mbështesin politikat e Blinkenit. Ndonjëherë i mbështesim, por s’ka bashkërendim pune. Departamenti i Shtetit është një krah i zgjatur i Presidencës, dega ekzekutive, ndaj ata vënë në zbatim filozofitë dhe politikat e Presidentit, jo të kongresit. Mendimet mund të jenë të ndryshme, varet se kush kryeson në kongres. Shumica e kongresmenëve s’janë në dijeni të asaj që po ndodh në Ballkan, fatkeqësisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA