Këtë të enjte me urdhër të SPAK-ut, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka firmosur nëntë urdhërarreste për ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, tre prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa gjashtë të tjerë, janë lënë në masën detyrim paraqitje.
Në pranga kanë përfunduar Mariglen Qato, ish-drejtor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Tiranës dhe ish-drejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës, Redi Molla. SPAK ka kërkuar po ashtu masë të dytë sigurie ‘arrest me burg’ edhe për Taulant Tushën, ish-drejtorin e Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës.
Gjykata e Posaçme la në masën detyrim paraqitje ish-zyrtarët e tjerë Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari dhe Debora Keçi. Mbi ish-zyrtarët rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” si dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas SPAK-ut, për 4 vite që Redi Molla ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” ka shpallur fituese tenderash kompaninë që ai dhe drejtori tjetër Mariglen Qato, kishin themeluar vetë.
SPAK-u ka dyshime se ish-drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku në disa procedua prokurimi, e kanë favorizuar dhe i kanë krijuar kompanisë së Mollës e Qatos privilegje të padrejta duke e shpallur fituese të tenderave.
Po ashtu SPAK thekson se edhe Debora Keçi, drejtuesja e autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një tender kompaninë e dy ish-drejtorëve të arrestuar tashmë. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme nisën vitin e kaluar, pas kallëzimit që bëri në kohën e fushatës zgjedhore Belind Këlliçi.
Top Channel