Podcast me myftiun e Tiranës, Rama mesazh bashkëpunëtorëve: Rruga mbaron një ditë, s’do jetoni sa shqiponjat

16/03/2024 08:29

Myftiu i sapozgjedhur i Tiranës, Bilal Teqja, ishte i ftuari i kryeministrit Edi Rama për episodin e tetë të podcast-it “Flasim”.

Ky episod iu dedikua besimit, teksa jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit. Teqja rrëfeu si iu përkushtua besimit islam, që nga hera e parë kur hyri në xhami në moshën 12-vjeçare dhe gjatë gjithë periudhës së studimeve në shkollat fetare.

Myftiu foli për efektet e agjërimit gjatë Ramazanit.

“Nëse e mendojmë besimin islam si një ndërtesë të bukur, ajo mbahet në 5 shtylla. E para, është fjala. Katër të tjera janë vepra, agjërimi, falja, axhi, zekati. Nga të gjithë adhurimet, agjërimi i Razam është më int, sepse kultivon sinqeritet, kultivon shpirtin e njeriut, që përmbledh kodet morale që ka njeriu në jetë. Është momenti më i mirë për të kuptuar se çfarë vlerash ke ti si njeri, çfarë mund të rregullosh, çfarë mund të japësh më shumë”.

Gjatë bisedës, kryeministri përcolli një mesazh edhe për bashkëpunëtorët.

“Kush e jeton jetën si udhëtar ka fatin të shijojë shumë se e di se rruga mbaron. Unë shpesh herë u them kolegëve e bashkëpunëtorëve! Ore jeni të informuar se rruga mbaron dhe nuk do të jetoni sa shqiponjat?!”

Rama u ndal më tej te rëndësia e leximit, duke cituar profetin Muhamed: “Paqja e Zotit qoftë mbi të, që boja e shkrimit të nxënësit është më e shenjtë se gjaku i martirit”.

Dija është pikënisja e gjithçkaje, theksoi myftiu.

“Surja që ka nisur Kurani, që në fillim të thotë lexo. Në fund, thotë afroju Zotit. Pra, nis me dijen, për t’u afruar me Zotin. Kurani është i vlefshëm për çdo kohë, është shumë interesant. Flet me Kuran dhë të kupton si ai që është fëmijë, edhe ai i rritur. Por, ai që ka më shumë njohuri, e kupton më mirë Kuranin. Zoti të jep eksperiencë, sprova, sfida në jetë. Prandaj, se njerëzit që janë më të lartë në status, e kuptojnë më mirë Kuranin dhe Zoti u hap më shumë hapësira se ata që nuk kanë dijen. Dija është pikënisja e gjithçkaje”.

Top Channel