Girona bind edhe në Kupën e Mbretit, eliminon Rayo-n dhe kualifikohet në çerekfinale

18/01/2024 07:14

Girona bind edhe në Kupën e Mbretit, teksa siguroi fazën çerekfinale pas suksesit 3-1 përballë Rayo Vallecano-s në “Municipal de Montilivi”.

Pjesa e parë u dominua totalisht nga vendasit të cilët shënuan fillimisht me Stuanin në minutën e 15-të dhe katër minuta më pas, kapiteni dyfishoi nga pika e bardhë.

Skuadra e Michel shfrytëzoi momentin e mirë dhe në minutën e 26-të realizoi edhe golin e tretë me Blind, ndërkohë që Rayo ngushtoi rezultatin dhjetë minuta më pas me anë të Nteka.

Në pjesën e dytë trajneri Michel ndryshoi formacionin dhe kjo ndikoi disi, pasi Vallecano kërkoi me ngulm golin e dytë duke krijuar volum loje, por deri në fund nuk ia doli që të ndryshonte kursin e mbrëmjes.

Girona siguron kështu fazën çerekfinale për herë të dytë në histori pas edicionit 2018-2019 dhe do të presë shortin për të mësuar kundërshtarin e radhës.

Sa i përket Kupës së Mbretit, deri më tani fazën çerekfinale e kanë siguruar, Girona, Sevilla, Mallorca, Celta Vigo, Real Sociedad dhe Ath. Bilbao, teksa të enjten luhen edhe dy sfidat e fundit të fazës së 1/8-ave, Unionistas-Barcelona dhe Atl. Madrid- Real Madrid.

Top Channel