Inzaghi nuk i “druhet” vetëm Juventusit: Për titullin llogarisni edhe Milanin!

16/01/2024 13:02

Trajneri i Inter, Simone Inzaghi ishte pjesë e ceremonisë “FIFA The Best” e zhvilluar në Londër.

Tekniku i zikaltërve ishte njëri prej tre të nominuarëve si “Trajneri i Vitit”, çmim që më pas iu akordua Pep Guardiolës për sezonin fantastik me Manchester Cityn.

Gjatë mbrëmjes gala, Inzaghi nuk ngurroi të komentonte edhe garën për titull në Serie A, një garë të cilën për momentin e udhëheq Interi i tij. 47-vjeçari theksoi se për titullin nuk është vetëm Juventusi rival i Inter, por shtoi se sheh si kundërshtar real edhe Milanin.

“Kemi zhvilluar 20 ndeshje vërtet shumë të mira, skuadra është në krye me 51 pikë. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë, sepse kampionati ka skuadra të forta që ashtu si Inter synojnë titullin. Mendoj se do të zhvillohet një betejë e fortë deri në javët e fundit mes Inter, Juventus dhe Milan”, u shpreh Inzaghi.

Në vijim, tekniku i 19-herë Kampionëve të Italisë u shpreh se skuadra e tij do të tentojë të fitojë edhe SuperKupën që zhvillohet këtë fundjavë në Arabinë Saudite ku pjesëmarrëse përveç Inter, janë edhe Fiorentina, Napoli e Lazio.

“Jemi kampionët në fuqi dhe në Ryad do të shkojmë me objektivin për të fituar sërish. Nuk e dimë mirë se çfarë na pret sepse ishim mësuar që SuperKupa të luhej me një ndeshje, mes fitueses së kampionatit dhe kupës. Por, është një format i ri të cilin ne do ta vlerësojmë me shumë seriozitet”, u shpreh Inzaghi. /Supersport

Top Channel