Mijëra jemenitë dalin në kryeqytetin Sana në solidaritet me Gazën (fotot)

05/01/2024 19:31

Dhjetra mijëra jemenitë dolën sot në kryeqytetin Sanaa të kontrolluar nga rebelët Huthi, në solidaritet me palestinezët në Gaza, teksa Izraeli bombardon qytetin kundër grupit Hamas.

Jemeni i varfër e i shkatërruar nga luftërat e fuqive rajonale e ndërkombëtare, tregonte sot në masë solidaritetin e tij me palestinezët pas vdekjeve nga bombardimet.

Grupe rebele jemenite kanë sulmuar anije me destinacion Izraelin në detin e Kuq ndërsa disa raketa e dronë janë neutralizuar nga luftanijet e SHBA, Francës e Britanisë në ujërat e rajonit.

Ndërkohë sulmet e artilerisë se Izraelit vijonin sot në Gaza teksa ushtria dha propozimin se do të qëndrojnë për të kontrolluar Gazën edhe pas luftës tashmë tre-mujore.

Shumica e Rripit të Gazës është kthyer në rrënojë, ndërsa sulmet ajrore kanë vijuar gjatë natës në qytetet jugore të Khan Yunis e Rafah, si dhe në disa pjesë të Gazës, raportojnë korrespondentët e rrjetit AFP.

Ushtria izraelite tha se ka goditur “rreth 100 objektiva në Gaza në 24 orët e fundit” , duke përfshirë pozicione militantësh ose depo armatimesh.

Kushtet për civilët në Gaza janë të rënda teksa OKB llogarit se më shumë se 1 milionë banorë janë detyruar të largohen në jug.

Pamjet nga AFP tregonin sot familje të tëra që kërkonin strehim nga dhuna, të cilat mbërrinin në Rafah me mjete të tejmbushura, në karro ose në këmbë, duke shtyrë karrocat me zotërimet e tyre.

“U larguam nga kampi i Jabalia në Khan Yunis, tani po shkojmë drejt Rafah,” tha një grua që nuk dëshironte të jepte emrin. “Nuk kemi as ujë, as energji elektrike, as ushqim”, shtoi palestinezja e larguar.

Një zëdhënës i grupit mbikqyrës të OKB tha për rrjetin AFP se Rafah pranë kufirit me Egjiptin, është e tejmbushur nga të ardhurit.

“Qyteti zakonisht ka rreth 250,000 persona, tani janë më shumë se 1.3 milionë,” tha Adnan Abu Hasna.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA