Qielli është kthyer në ngjyrë të kuqe nga flakët që janë riaktivizuar në qendrën tregtare në Lushnjë.
Kësaj here zjarri ka përfshirë tarracën e qendrës tregtare ku ndodhet dhe një lokal veror dhe zyrat e administratës. Në pjesën e lokalit janë djegur pjesa e dyshemesë dhe disa pemë.
Sipas informacioneve lokali ndodhet midis dy godinave, në katin e katërt të qendrës tregtare, ndërsa zjarrfikësit janë rikthyer sërish në aksion për të shuar vatrën.
Në këto momente janë duke u ulur flakët e zjarrit, ndërsa në katet më poshtë po punohet për izolimin e flakëve.
Në asnjë nga godinat nuk ka banorë, ndërsa policia ka rrethuar me perimetër sigurie zonën. Po punohet me forca të shumta zjarrfikëse për të minimizuar flakët.
Kujtojmë se dhjetëra qytetarë përjetuan momente tmerri kur një zjarr i rënë në katin e tretë të një qendre tregtare në Lushnjë u përhap me shpejtësi në apartamentet sipër tij rreth orës 14: 40.
Zjarrfikës, forcat RENEA dhe ato policore u angazhuan për disa orë me qëllim shuarjen e flakëve në pallatin 12 katësh dhe kërkimin për qytetarë të bllokuar në banesa.
Dyshimet e para për shkakun e zjarrit janë mbingarkesa e kondicionerëve, pasi qendra tregtare ishte e mbipopulluar nga dyndja për festën e Krishtlindjes.
Rreth 40 qytetarë dhe tre zjarrfikës kanë marrë ndihmë mjekësore në spital, pasi u nxorën nga godina, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Top Channel