Grupi Monitorues: Meta, Facebook po censurojnë përmbajtjet pro-Palestinës në të gjithë botën

25/12/2023 18:02

Kompania që zotëron rrjetin Facebook, Meta, ka censuruar sistematikisht zërat dhe përmbajtjet pro-Palestinë në platformat e saj globale gjatë konfliktit brutal izraelito-palestinez, thuhej sot në një raport të grupit të të drejtave ‘Human Rights Watch’.

Dokumenti me 51-faqe denoncon se grupi Meta, ka fshirë ose nuk ka lënë të bëhen publike postimet e përmbajtjet pro-Palestinë, “duke përfshirë dhe mbështetje paqësore ndaj kauzës së Palestinës”.

Pas një sulmi të Hamas brenda Izraelit ku raportohet se u vranë rreth 1000 civilë, ushtria izraelite nisi bombardimet dhe pushtimin e Gazës ku rreth 20 000 palestinezë janë vrarë deri tani, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza.

Rrethimi dhe izolimi i mëtejshëm i Gazës nga Izraeli ka cuar në një katastrofë humanitare për rreth 2 milionë banorët e Rripit të Gazës, shumica e tyre të mitur.

Në raportin e Human Rights Watch thuhej mes te tjerash: “Censurimi nga Meta i përmbajtjeve në mbështetje të Palestinës i shtohet vuajtjeve të civileve, në një kohë masakrash të pathëna që palestinezët po vuajnë”.

“Censura është një tjetër hap për fshirjen e palestinezëve”, shkruante grupi i të drejtave pasi kishte analizuar 1,050 raste të censurës online në më shumë se 60 shtete.

Raporti theksonte të paktën 100 raste censure të fshehjes së postimeve pro-Palestinës me taktika si “heqje e përmbajtjes, pezullime ose bllokime të llogarive, mospublikimin e përmbajtjes ose paaftësi të gjetjes së tyre”.

Meta nuk iu përgjigj kërkesës për komente nga rrjeti britanik The Independent.

Zhvillimi vjen pasi senatorja amerikane Elizabeth Warren i dërgoi një letër kreut të Meta Mark Zuckerberg ku kërkonte informacion për censurimin e përmbajtjeve pro-Palestinë.

“Është e rëndësishme që platformat e rrjeteve sociale të mos censurojnë përmbajtjet e vërteta e të ligjshme, veçanërisht kur njerëzit e komunitetet kërkojnë aty informacionet për zhvillimet në rajon”, thuhej në letër, sipas rrjetit The Intercept.

Human Rights Watch sinjalizonte rastet e kufizimeve të përmbajtjeve në rrjetet  Instagram/Facebook Live, duke reduktuar shikueshmërinë ose shpërndarjen e postimeve të tilla nga individë apo grupe, si dhe duke mos shpërndarë njoftimet e tyre të zakonshme.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA