Lufta “vjedh” Krishtlindjen! Në vendin e lindjes së Krishtit nuk ka festime

24/12/2023 19:10

Turmat e turistëve dhe të pelegrinëve si dhe bandat muzikore me kostumet shumëngjyrëshe të Babagjyshit këtë vit mungojnë në qytetin e Betlehemit në Bregun Perëndimor.

Vendi i lindjes së Jezusit, i cili në këtë periudhë kthehet në kryeqendër të festimeve, kësaj here ka fikur dritat festive për shkak të luftës që po ndodh në Gaza. Drejtuesit e Kishës në Jerusalem së bashku me këshillin e qytetit të Betlehemit vendosën muajin e kaluar që të heqin dorë nga çdo festim këtë Krishtlindje, duke u solidarizuar kështu me banorët e Gazës.

Në vend të dekoreve tradicionale dhe pemës së krishtlindjeve, Kisha e Lindjes së Krishtit, zgjodhi të krijojë një skenë të thjeshtë ku në qendër qëndron Jezusi dhe rreth tij një grumbull rrënojash, që simbolizon qytetin e Gazës. Në një kohë normale, Betlehemi do të ishte një “qytet plot me njerëz, plot turistë”, tha 30-vjeçari Abood Suboh, një tregtar i zonës i cili theksoi se ky vit është një nga më të këqijtë që po përjeton vendi.

Betlehemi shtrihet disa milje në jug të Jeruzalemit në bregun perëndimor. I gjithë qyteti është i rrethuar me mure të larta dhe rrethime, ku forcat izraelite ushtrojnë kontrollet të shumta. Që nga 7 tetori, kur dhe Hamas ndërmori sulmin e armatosur, qyteti ka përjetuar një rënie ekonomike pasi është përballur me mungesën e turistëve që vizitojnë Kishën e Lindjes së Krishtit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA