Foto: AHMAD GHARABLI / AFP

Nga ENDRI ARIZI – 7 tetori do të mbahet mend në historinë e Izraelit, si një nga shumë ditët e zeza të këtij kombi.

Por çfarë ndodhi? A gaboi Mossad edhe në këtë rast duke lejuar që vendi të goditej nga një sulm nga ana e Hamasit?

Çfarë shkoi keq?

A mos ndoshta Mossad e përdori këtë rast për të hartuar një tjetër plane e për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë grupit militant islamik, të Hamas, që mban kontrollin e Gazës?

Të gjitha pyetjet e pranojnë si përgjigje: Edhe Po-në edhe Jo-në.

Sepse çdo “luftë” kërkon një shkak kur nis dhe kur mbaron. Madje edhe ky konflikt i kahershëm mes Izraelit dhe Hamasit, prej shumë vitesh po prodhon vetëm viktima dhe trazira në Lindjen e Mesme. Dhe, ata që e vuajnë janë civilët palestinezë dhe izraelitë.

Që nga lindja e shtetit të Izraelit, më 1948-ën, hapi i parë dhe më i rëndësishëm ka qenë krijimi i Mossadit më 1 prill 1951, një prej shërbimeve sekrete më të frikshëm të botës. (Lexo “Të fshehtat e Mossad” nga Aldo Musci & Marco Mincageli).

Të ndodhur në armiqësi, me shtetet fqinje, izraelitët arritën të rekrutonin dhe të mblidhnin informacion përmes agjentëve të tyre të shpërndarë në të gjithë botën. Aq sa, çdo informacion, përpilohej dhe më pas i paraqitej kabinetit qeveritar, duke përbërë dhe bazën e politikës së jashtme të Tel Avivit.

Inteligjenca izraelite prej vitesh ka pasur një rol aktiv, për mbikëqyrjen e grupit të Hezbollah dhe atij të Hamasit. Dy organizata islamike, që shpesh së bashku me Iranin që i mbështet, kanë tentuar të krijojnë destabilitet në shtetin hebre.

Por duke ditur rolin aktiv që Hamas dhe Hezbollah kanë në rajon, pyetja që shtrohet sërish është: A ka pasur informacion për sulmin e 7 tetorit Mossad?
Apo ashtu si në 15 nëntor të vitit 1995, kur Jigal Amir, ekstremisti i së djathtës, vrau kryeministrin Jitzhak Rabin, edhe kësaj here ky shërbim i formuar nga tre departamente operative dhe mijëra agjentë dështoi për të parandaluar një sulm terrorist që i kushtoi jetën shumë civilëve të pafajshëm?

Konflikti, shihet si një “patate e nxehtë” që pritet të përfshijë të gjithë Lindjen e Mesme.

Me Izraelin nga njëra anë, i vendosur për të shfarosur grupin terrorist, dhe me vendet e botës islame nga ana tjetër, që po kërkojnë të ndalet lufta në Gaza, e vetmja zgjidhje që ka marrë dhe bekimin e SHBA-së është ajo e krijimit të dy shteteve.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është shprehur se nuk mund të ketë më kurrë kthim prapa në status “quo-në” e para 7 tetorit.
Sipas mendimit tonë, duhet të jetë një zgjidhje me dy shtete”, tha Biden.

Pra një shtet izraelit pranë një shteti palestinez, që ekziston krah për krah në paqe.

Ky ka qenë qëllimi i komunitetit ndërkombëtar për dekada, që daton që nga “Plani i Ndarjes” i OKB-së i vitit 1947-të, dhe që shumë vende thonë se, “kjo është e vetmja rrugëdalje nga konflikti”.

Por a ka ardhur koha që ky plan të zbatohet? Dhe, a ishte e mundur që ky konflikt të parandalohej?

Pyetja e parë është ende në zhvillim dhe do të marrë përgjigje në ditët dhe muajt në vijim. Ndërsa pyetja e dytë, do të mbetet një enigmë për shumë vite.

Sepse, ndoshta ky sulm mund të jetë përdorur si një arsye për të shfarosur njëherë e përgjithmonë grupin terrorist nga kontrolli i Gazës dhe për t’ia rikthyer atë autoritetit Palestinez.

Një zgjidhje e thjeshtë që do sillte paqen mes dy popujve si dhe do të rivendoste ekuilibrat në Lindjen e Mesme.

*Redaktor në Departamentin e Informacionit, Top Channel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA