Ish-ambasadori Arben Çejku diskutoi në “Top Story” për situatën e tensionuar mes Shqipërisë dhe Greqisë, për çështjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.
Ai deklaroi se asnjëra nga palët nuk mund të kthehet më pas, ndërsa shtoi se Greqia e ka përdorur edhe më parë metodën e bllokimit të negociatave për anëtarësimin në BE.
Çejku theksoi se shteti fqinj i ka dhënë më tepër se sa duhet shqetësim gjendjes, pas arrestimit të Belerit nën pretendimin se bleu votat për zgjedhjet e 14 majit.
“Unë mendoj që në fazën që jemi tani asnjëra nga palët nuk ka kthim mbrapa sepse edhe në Shqipëri procesi ka ecur me Belerin edhe në disa hapa të gjykimit por edhe të qëndrimeve politike. Dhe duhet të jetë drejtësia ajo që duhet të flasi në fund, që do t’i japi mundësinë retorikës politike të dalë nga ky ngërç.
Në anën tjetër Greqia që sigurisht nuk është hera e parë që e përdor retorikën e bllokimit të negociatave. Të krijohet kjo artificë bllokimi më këtë personazh krejt periferik të vihet në qendër të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe të shkojë deri në Bruksel. Pala Greke ka shprehur më tepër shqetësim se sa është gjendja”, deklaroi ish-ambasadori.
Top Channel