Egjipti po përpiqet të përshpejtojë dërgimin e ndihmave në Gaza, e cila po përballet me sulme që prej 7 tetorit.
Një zyrtar i lartë egjiptian deklaroi se sasia e ndihmave që arrin në enklavën palestineze është ulur javën e fundit pas përfundimit të armëpushimit shtatë-ditor midis Izraelit dhe Hamasit.
Nga ana tjetër kreu i Shërbimit Shtetëror të Informacionit, Diaa Rashwan, paralajmëroi se Egjipti nuk do të lejojë kurrë që civilët të dëbohen nga rajoni pasi, fushata ushtarake e Izraelit i afron ata më pranë kufirit me Gadishullin Sinai të vendit.
Që nga fillimi i konfliktit, kalimi Rafah në kufirin e Gazës me Egjiptin ka qenë e vetmja pikë hyrëse për kamionët e ndihmave që transportonin ushqime, ilaçe, ujë dhe karburant.
Numri i kamionëve që kalojnë çdo ditë ka rënë ditët e fundit në më pak se 100, nga gati 200 kur ishte në fuqi armëpushimi.
Sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë ditës së djeshme, vetëm 80 kamionë që transportonin furnizime humanitare dhe 69,000 litra karburant hynë në brez.
Top Channel