Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nis një fushatë të re që do të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë, politik bërësve, shoqërisë civile apo dhe bizneseve rreth çështjeve mjedisore që prekin vendin tonë.
Nën moton “Bëhu pjesë e rrugëtimit të gjelbër, Evropa është këtu” nisi sot në Kurbin, në mënyrë që të ngjisë pjesëmarrjen dhe angazhimin e qytetarëve në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve evropiane.
Fushata nisi me pastrimin e pikës ku bashkohen lumi Fan dhe Mat duke sjelle mbetje të shumta nga fshatrat dhe zonat urbane.
Andrea Rizzo, i ngarkuari me punë i delegacionit të BE dhe shefi politik tha se nëpërmjet këtyre fushatave duan të sensibilizojnë njerëzit që të kujdesen për ambientin dhe se Shqipëria mund të zhvillojë politika që lidhen me standardet e Bashkimit Evropian.
“Jemi sot këtu sepse po lançojmë një fushatë ndërgjegjësimi të BE për gjelbërimin që do të zgjasë 3 javë. Synimi është që të ndërgjegjësojmë të gjithë njerëzit, aktorët politikë për të siguruar që Shqipëria të zhvillojë politika në përputhje me standardet e BE përsa i përket mbrojtjes së mjedisit. Nuk ka të bëjë vetëm me ndërgjegjësimin por dhe me reagim të plotë sepse kjo do të thotë që jo vetëm individët të bëjnë punën e tyre por dhe shoqëria gjithashtu përmes organizatave në nivelin politik në mënyrë që qeveritë të kenë një rol në zhvillimin e politikave të duhura në mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit. Të ketë një mekanizëm të duhur dhe ndryshimet në ligje janë të rëndësishme. Kjo është e rëndësishme për procesin integrues dhe ndryshimet në aspektin ligjor duhet të bëhen për t’u siguruar që Shqipëria të ruajë mjedisin dhe biodiversitetin. Kjo do të ketë një impakt të rëndësishëm jo vetëm në mjedis por, shëndet, ekonomi dhe turizëm. Do lançojmë disa programe miliona euroshe për natyrën dhe lumenjtë. Kjo do të jetë një mundësi për të treguar angazhimin e BE për Shqipërinë në këtë rrugë të gjelbër drejt BE-së”, tha Andrea Rizo.
Përmes kësaj fushate dhe angazhimit të BE-së me programe të financuara me vlerë prej 44 milionë eurosh, synohet të forcohet bashkëpunimi për të garantuar një mjedis të qëndrueshëm dhe të pastër për të gjithë qytetarët.
Ky hap i rëndësishëm shënon një angazhim të vazhdueshëm për të përmirësuar situatën mjedisore në Shqipëri dhe për të përforcuar lidhjen midis vendit dhe Bashkimit Evropian në këtë fushë.
Top Channel