Exclusive/ Ish-liderët e UÇK-së u dënuan me 81 vite burg, analisti Nazarko: Gjykata duhet të ishte themeluar me gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it, Serbia dhe Rusia…

20/09/2026 21:42

Disa ditë më parë Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Të katër u shpallën fajtorë për një sërë krimesh lufte dhe u dënuan me gjithsej 81 vite burgim.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vite burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 vite burgim. Rexhep Selimi u me 13 vite burgim, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim.

Analisti politik Mentor Nazarko ka komentuar në ‘Exclusive’ në Top Channel zhvillimet që lidhen me akuzat ndaj ish-liderëve të UÇK-së, duke argumentuar se Gjykata Speciale nuk gjeti bazë për pretendimin e një plani të organizuar për krime kundër njerëzimit.

Nazarko foli gjithashtu për mënyrën e krijimit të Gjykatës Speciale, duke thënë se një alternativë që mund të kishte sukses do të kishte qenë krijimi i saj në Kosovë, me gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë, por nën sovranitetin e institucioneve të Kosovës.

“Nëse do të ishin dënuar për krime kundër njerëzimit, fajësimi kolektiv i luftës së UÇK-së, i këtij angazhimi të popullit të Kosovës, kombit shqiptar për t’u çliruar nga gjenocidi, do të ishte i plotë. Krimi kundër njerëzimit do të thotë një program, plan për të zhdukur dhe cenuar popullsi të caktuara, minoritete dhe grupe etnike në bazë të një plani. Gjykata e hodhi poshtë këtë, nuk kishte plan, as numra të krimeve që kanë ndodhur pas 20 qershorit të 1999 që do ta justifikonin mbajtjen në këmbë të kësaj akuze.

Në zanafillë të këtij procesi, i cili është pasojë e teknologjisë që ka përdorur Serbia, iniciatore e të gjitha luftërave që kanë ndodhur në fund të shekullit XX, është përpjekja për ta baltosur kundërshtarin, për të transferuar fajin te ai. E njëjta gjë ka ndodhur kundrejt kroatëve, boshnjakëve, sllovenëve dhe shqiptarëve. Madje ka pasur mungesë fantazie, akuza për trafikun e organeve është bërë edhe ndaj kroatëve, por është hedhur poshtë nga vetë serbët. Është një akuzë monstruoze e vënë në lëvizje prej Serbisë, e cila doli humbëse nga konflikti në Kosovë, ku u përplas jo vetëm me Kosovën, por edhe me Perëndimin. Serbia, me ndihmën e Rusisë, e aktivizoi ndërkombëtarisht këtë akuzë, vuri në lëvizje një parlamentar zvicerian dhe, në një mënyrë të pazakontë, u themelua një gjykatë e cila të hetonte nisur pikërisht nga akuza kryesore që lidhet me transplantin e organeve. Ka pasur asokohe dy rrugë që janë diskutuar për të adresuar këto krime monstruoze, burimi i të cilave ishte Serbia. Ose të krijohej nga OKB-ja, ose nga vetë Kosova, siç ndodhi. Rruga e tretë që edhe unë e kam propozuar ishte që një shkrirje e të dyjave, dmth. gjykata të themelohej në Kosovë, me gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it, mund të shtoheshin edhe ekspertë ndërkombëtarë, por ajo të ishte në sovranitetin e Kosovës. Ky akt, kjo rrugë e tretë mund të kishte sukses”, u shpreh Nazarko.

 

Top Channel