Skuadra “Kalle” zhvilloi performancën në natën e pestë të “Dancing With The Stars”, por debatet e forta mbizotëruan pas përfundimit të koreografive.
Kryetari i jurisë Ilir Shaqiri nisi komentimin e performancës, por që kritikat e tij nuk i pëlqyen aspak konkurrentëve, të cilët po ashtu reaguan me tone të larta zëri.
Ilir Shaqiri: Unë nuk them që Kalle janë akoma në piknik, mendoj që janë përpjekur për të bërë më të mirën. Vura re një tendencë për të bërë protagonistin. Mua kjo gjë më stonon pak, preferoj më shumë atë që bëri grupi tjetër. Më pëlqyen disa gjëra, e disa nuk më pëlqyen.
Dion Gjinika (balerini): Mendoj që është një koreografi shumë intensive për të cilën është bërë një punë e madhe. Të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre.
Ilir Shaqiri: Për të treguar vetveten.
Dion Gjinika (balerini): Të gjithë duhet të tregojnë. Të gjitha padjeshkat në grupin tonë janë bërë nga VIP-at është menduar nga ne, ndërsa për sa i përket zhanerave jemi munduar t’i përfshijmë të gjitha.
Ilir Shaqiri: Ideja pse nuk do t’i doja, mund të ishin shfrytëzuar në një mënyrë të ndryshme.
Olta Gixhari: Sa qenkan karikuar këto…
Ilir Shaqiri: Në treshen e padjeshkave të fundit, hipën në të njëjtën kohë dhe zbritën në momente të ndryshme.
Por debati i cili po agravonte gjithnjë e më tej nuk përfundoi vetëm me dy protagonistët kryesorë, por përfshiu edhe anëtarët e tjerë të skuadrës “Kalle”.
Këtë herë debati vijoi nga Ina Kollçaku, por Ilir Shaqiri nuk u largua nga vorbulla e debateve.
Ina Kollçaku: Të dëgjova më lër të mbaroj. Unë do të them atë që dua. Të kam dëgjuar mjaftueshëm katër javë.
Ilir Shaqiri: Kanë këtë vesin e keq ky grupi këtu që nuk dinë të dëgjojnë. Dinë të flasin më shumë se të kërcejnë.
Graciano Tagani (balerini): Domethënë të na thuash që pëlqeni më shumë të flisni se të kërceni është ofenduese për ne.
Ina Kollçaku: Më mirë dy tre pikë më pak se sa të pranojmë padrejtësitë.
Për sa i përket komenteve të anëtarëve të tjerë të jurisë, pati një ndërhyrje, por sërish mbizotëruan opinionet negative dhe kritikat.
Lori Bala: Në këtë performancë unë i pashë të gjithë. Dua t’i shoh VIP-at njësoj me balerinët.
Olta Gixhari: Gocat në pjesën kur ishin topat u bënë lëmsh u ngatërruan. Kur bënë pasodoblet nuk ishin në një sinkron. Dua të veçoj Fifin, e cila në të dyja rastet shkëlqeu. Unë mendoj që sot ke shpërthyer. Tek koreografia më duket që kaq shumë jeni munduar të jeni të gjithë njësoj. Në një koreografi Fifi kishte një pjesë shumë të gjatë, që vetëm vraponte, një koreografi boshe. Aty ishte pa koreografi.
Valbona Selimllari: Unë e vlerësoj punën tuaj, ishte një punë e mirë. Por të flasim për harmoninë dhe sinkronin, jam me “Krushqit”. Teknikisht folën këta të dy harmonia që pash tek ata nuk e pashë tek ju. Ju nuk kishit harmoni me njëri-tjetrin. Diferenca është e vogël, atë që pash atë thash.
Skuadra “Kalle”, e Julianës dhe Dion dhe skuadra “Krushqit” e Roerdit dhe Ensës, të krijuara nga spektakli i javës së shkuar kërcejnë sonte të njëjtin kolazh muzikor, nga vitet ’80-’90.
Skuadra më e votuar do të ketë imunitet nga eliminimi teksa çiftet e skuadrës humbëse do të garojnë mes njëri-tjetrit për të performuar kërcimet në çift. Në fund, njëri prej tyre do të largohet përfundimisht nga gara.
Votoni nga Shqipëria dhe Kosova në numrat përkatësisht 56666 dhe 55099 duke dërguar me mesazh emrin e skuadrës, pra “Krushqit” ose “Kalle”, dhe mos harroni; mund të votoni nga e gjithë bota në voto.top-channel.tv.
Top Channel