Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë si në këto eliminatore të kampionatit europian Gjermani 2024, që për një ndeshje të kombëtares shqiptare të mos sigurohet dot bileta, në një stadium si Arena Kombëtare me një kapacitet 21 300 vende në total.
Në prag të ndeshjes me Çekinë që ishte edhe ndeshja kyçe për ecurinë tonë, kërkesat arritën kulmin në rreth 300.000 për 21 mijë vende, por nuk janë më pak edhe për ndeshjen e fundit të këtyre eliminatoreve, atë të 20 nëntorit ndaj Ishujve Faroe në Tiranë.
Ndonëse një kundërshtar i dobët në letër, ku në një tjetër situatë duhej të ishin bërë oferta të ndryshme që të shiteshin e të paktën gjysmave së biletave, në këtë rast mjaftuan më pak se 4 orë për t’u shitur rreth 14.000 biletat që dolën në shitje online. Pasi më 20 nëntor të gjithë në Shqipëri urojnë të festojnë kualifikimin përfundimisht të kombëtares sonë për në finalet e Europianit të 2024-s.
Tregu ndërkombëtarë siç është ai i biletave online, e ka bërë edhe më të vështirë sigurimin e një bilete tashmë për shumë njerëz, pasi në çdo moment pas njoftimit të hapjes së procesit të shitjes së biletave janë mijëra njerëz në pritje për të siguruar bileta, jo vetëm nga brenda vendit por edhe jashtë.
Shqipërisë nuk i ndodh shpesh të ketë evente të tilla, ndodhi në 2016-n në një tjetër situatë dhe sot 7 vjet më pas, me një super ekip i përfolur ndërkombëtarisht për performancën në këtë rrugëtim të këtyre eliminatoreve.
Megjithatë një pjesë e biletave të ruajtura për sektorin e skuadrës mike, pas konfirmimit të tyre për të mos ardhur, mund të sjellë një raundin të dytë shitjesh, të një sasie shumë më të vogël për tifozët e shumtë që duan të jenë të pranishëm aty, në arenën ku do të luajnë djemtë kuqezi që këtë herë, më shumë se kurrë na kanë bërë krenar dhe me kokën lart drejt europianit Gjermani 2024.
Shqipërisë i mjafton edhe një pikë për të siguruar matematikisht kualifikimin, ndërkohë që do të luaj edhe dy ndeshje, më 17 nëntor në Moldavi dhe më 20 nëntor në Tiranë ndaj Ishujve Faroe.
Top Channel