Humbja në El Clasico ndaj Realit të Madridit mbylli një javë të errët për Barcelonën që pësoi disfatën e dytë radhazi pas asaj ndaj Paris Saint Germainit në Ligën e Kampioneve.

Përpara se të shfaqej në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri Flick foli me futbollistët e tij e më pas analizoi rezultatin negativ të katalanasve.

‘Nuk jam i kënaqur. U pa që nuk ishim plotësisht të freskët-tha trajneri gjerman-Në pjesën e dytë ishim mirë dhe Reali i Madridit pati vetëm 2 mundësi për të shënuar golin e dytë. E kontrolluam ndeshjen dhe shënuam golin e barazimit 1-1. Në fund luajtëm në presing lart dhe ata realizuan një lojë në tranzicion duke na shënuar. Nuk ishte diçka e mirë për ne, por duhet ta pranojmë. Edhe humbjet janë pjesë e futbollit’.

Flick pranoi se këto ditë skuadra e tij nuk ka shfaqur lojën e saj më të mirë.

‘Është humbja e parë në 10 ndeshje-shtoi Flick-nuk po shfaqim nivelin tonë më të mirë dhe kjo ka të bëjë me freskinë. Kemi një javë kohë për t’u përgatitur për ndeshjen tjetër. Duhet që skuadra të rifitojë energjinë e saj. Futbollistët kanë nevojë të shkëputen për pak pas kësaj jave intensive’.

Tani për trajnerin gjerman ajo që ka rëndësi është që skuadra e tij të analizojë gjithçka dhe të reagojë.

‘Tani është e rëndësishme të analizojmë gjithçka dhe të reagojmë-shtoi trajneri i Barcelonës-për mendimin tim është e qartë se u përballëm me një kundërshtar të një niveli të lart me shumë kualitete që ishte ndoshta më mirë se në klasiket e mëparshme, kurse ne nuk ishim mjaftueshëm të freskët. Duhet të rikuperohemi mirë, të stërvitemi shumë dhe t’i përgjigjemi kësaj humbjeje. Jo gjithçka është negative kur humbet. Rruga është e gjatë deri në fund të sezonit dhe këto janë gjëra që ndodhin’.

Top Channel