Ndërpritet seanca për Berishën! Gjykata i jep kohë mbrojtjes të njihet me aktet deri në orën 15:00

26/10/2023 11:21

Vijon zvarritja proceduriale e seancës në GJKKO për marrjen në pyetje dhe verifikimin e masës së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në orën 10.30, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u çel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.

Gjykata pasi verifikoi praninë e palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht i hetuari Sali Berisha dhe se ishin paraqitur 2 mbrojtësit e thirrur për caktim kryesisht nga gjykata, avokat, Jalldiz Kastrati dhe avokate Rabije Cenalia.

Në orën 11.00, ndërpritet seanca. Gjykata u la kohë mbrojtësve për t’u njohur me aktet e procedimit penal të fazës së hetimit paraprak, të përcjella nga ana e Prokurorisë së Posaçme dhe për këtë arsye ndërpreu shqyrtimin gjyqësor, për të rifilluar ditën e sotme, në orën 15.00.

Në orën 11.15, avokatët dalin nga salla. E pyetur nëse do ta ndjekë apo jo rastin, Kastrati u përgjigj shkurtimisht për mediet se: “Po përderisa dola nga salla…

Sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, sekretaria ka telefonuar një numër të lartë avokatësh të cilët janë justifikuar se e kanë të pamundur, se agjenda e tyre ishte e zënë me çështje të tjera penale, derisa është mbërritur në listën emërore të përcaktuar.

Dy avokateve u është lënë kohë 4 orë e 30 minuta dhe do të kthehen në seancë pasi të kenë studiuar fashikujt. Nuk dihet nëse avokatet kryesisht falas nga shteti do të kthehen në seancë apo do të ketë lëvizje surprizë nga avokatët e Berishës.

15 minuta para nisjes së procesit, Gjykata e Posaçme Antikorrupsion njoftoi përmes zyrës së shtypit kërkesën për largimin e Irena Gjokës nga drejtimi i seancës.

Top Channel