Gaza po vijon të përballet me sulme prej 19-të ditësh, ndërsa bilanci i viktimave deri më tani është më shumë se 6500 persona.

Ministria e Shëndetësisë vendase njoftoi shifrën e viktimave që prej datës 7 tetor e deri më tani.

Nga ana tjetër ushtria izraelite ka raportuar se ka nisur sulme të gjera në Rripin e Gazës duke shënjestruar dhe shkatërruar boshtet e tunelit të Hamasit, selitë ushtarake dhe depot e municioneve.

Pala e militantëve të Hamasit nuk ka ende asnjë reagim për situatën dhe vërtetësinë e sulmeve mbi bazat që ata menaxhojnë.

Gjatë ditës së sotme kanë vijuar kalimet e ndihmave në Gaza. Një aeroplan i Mbretërisë së Bashkuar që transportonte 21 tonë ndihma për Gazën ka mbërritur në Egjipt dhe Franca njoftoi se do të dërgojë një anije të marinës me ndihma për të ndihmuar spitalet e Gazës.

OKB-ja paralajmëroi se karburanti i saj në Rripin e Gazës do të mbarojë sonte , duke detyruar mbylljen e spitaleve dhe strehimoreve. Sipas tyre më shumë se një e treta e spitaleve tashmë janë mbyllur.

Top Channel