Tragjedi në Illinois, 8 persona qëllohen me armë zjarri pranë universitetit, mes tyre një viktimë 19-vjeçare

01/11/2026 23:00

Një 19-vjeçare ka mbetur e vrarë dhe shtatë persona të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri pranë kampusit të Universitetit Wesleyan të Illinois, në Bloomington të SHBA-së.

Ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës, ndërsa policia vijon hetimet dhe deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar të arrestuar.

Sipas autoriteteve, policia u njoftua rreth orës 01:23 të mëngjesit për të shtëna me armë zjarri në bllokun 100 të East Division Street.

Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët gjetën disa persona të plagosur. E reja 19-vjeçare u shpall e vdekur në vend, ndërsa një nga të plagosurit u transportua në një qendër rajonale të traumës në gjendje kritike.

Gjashtë personat e tjerë kanë marrë plagë që nuk rrezikojnë jetën, bëjnë të ditur autoritetet.

Policia u ka bërë thirrje banorëve të zonës, veçanërisht në rrugët Center Street dhe Emerson Street, të kontrollojnë pamjet e kamerave të sigurisë, kamerave të automjeteve dhe kamerave të dyerve, për të ndihmuar në identifikimin e personave të përfshirë.

Deri më tani, nuk ka të dyshuar në paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes vazhdojnë.

Top Channel