Berishës nuk i është njoftuar ende për masa e GJKKO-së, seanca gjyqësore mund të zhvillohet pa praninë e tij

24/10/2023 08:53

Ditën e sotme është caktuar seanca gjyqësore për ish-kryeministrin Sali Berisha, ndaj të cilit GJKKO ka caktuar masën ‘detyrim paraqitje’ për çështjen e kompleksit Partizani.

Por sipas burimeve të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha nuk është bërë ende e mundur njoftimi i Sali Berishës, për masat e marra nga GJKKO.  Me shumë mundësi seanca do zhvillohet në mungesë të ish-kryeministrit Berisha, nëse ai nuk paraqitet vullnetarisht.

Pritet të konsiderohet si marrje dijeni, mesazhi që gjykata përcolli ditën e kaluar për mediat përmes zyrës së shtypit dhe do ta konsiderojë njoftimin e seancës dhe orën 14:00, si njoftim publik për të dyshuarin.

Sipas gazetares Anila Hoxha, në rast se Berisha nuk paraqitet njëherazi, pritet të caktohet një avokat falas nga shteti i cili do ta përfaqësojë.

Ditën e djeshme në banesën e tij zbarkuan oficerët e policisë Gjyqësore për t’i komunikuar masën, por Berisha nuk ndodhej në banesë.

Berishës i është caktuar masa “detyrim paraqitje” dhe i është bllokuar pasaporta, pas akuzave për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Sali Berisha dyshohet për korrupsion pasiv të funksionarëve në bashkëpunim. Veç tij, Gjykata e Posaçme vendosi detyrim paraqitje edhe për biznesmenin Fatmir Bektashi, ndërsa ra në pranga dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Vendimet u dhanë dy ditë më parë, ndërsa Berisha e konsideron një komplot të SPAK-ut në bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama.

Ndërkohë, për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” po hetohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Gjykata e Posaçme e ka ndaluar atë të dalë jashtë vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA