Gjykata e Posaçme iu ka paraprirë të gjithë skenarëve të mundshëm, edhe nëse ish-kryeministri Sali Berisha paraqitet vullnetarisht, edhe nëse nuk paraqitet sikurse ka deklaruar së fundmi publikisht.
Në rast se Berisha do të paraqitet, gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se “ai do të përfaqësohet nga një avokat i zgjedhur prej tij dhe për rrjedhim, gjykata pasi të dëgjojë palët, do të mund të gjykojë datën dhe orën precize se kur Sali Berisha do të duhet të paraqitet përballë një oficeri të Policisë Gjyqësore, i atashuar pranë SPAK.”
Nga ana tjetër, nëse Sali Berisha nuk paraqitet, Gjykata i ka paraprirë një versioni të mundshëm apo plani, përsakohë 3 ditë më parë njoftoi në një konferencë për mediet se do të mbajë seancën gjyqësore në orën 14:00 të ditës së sotme.
Bëhet me dije se ky njoftim përmes zyrës së shtypit, do të konsiderohet si një njoftim publik për ish-kryeministrin Sali Berisha. Çka do të thotë, sipas gjykatës, se ai ka marrë dijeni tanimë ndonse forcat e policisë – mes tyre edhe krimi ekonomiko-financiar – nuk e patën të mundur që ta kontaktonin dhe ta vendosnin në dijeni për shkak të refuzimeve të shpeshta.
Si instrument përveç njoftimeve të zyrës së shtypit, do të përdoren – bëjnë me dije burime për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha – edhe rrjetet sociale në të cilat ish-kryeministri është shprehur publikisht (kryesisht përmes Facebook-ut) për vendimmarrjen e gjykatës.
Në kushtet e mungesës, do të përdoret një opsion tjetër i mëparshëm në të cilën gjykata dhe trupa gjyqësore janë gjendur në një situatë të ngjashme. Bëhet fjalë për njoftimin dhe dhënien e masës së sigurisë në mungesë të avokatit Ilir Malindi, i cili pasi refuzoi të paraqitej dhe të njihej me masën e sigurisë, mbasi gjykata e shqyrtoi këtë çështje në mungesë të tij dhe vendosi një avokat falas nga shteti, më tej Prokuroria – mbasi ky vendim nuk u zbatua nga i dyshuari – dha urdhrin që ky shtetas të shoqërohet forcërisht.
Skenari i dytë që pritet të ndiqet nga Gjykata e Posaçme, megjithëse ndodhemi në një situatë abstrakte, do të jetë me siguri ky version; Sali Berisha do të gjykohet ditën e sotme, do të kryhet një verifikim i kushteve të masës së sigurisë në mungesë të ish-kryeministrit Berisha, por me një avokatë të caktuar nga shteti. Dhe në momentin që GJKKO dhe gjyqtarja Irena Gjoka do të shpallë datën dhe orën se kur Berisha të paraqitet para OPGJ, dhe ish-kryeministri nuk paraqitet, i takon SPAK që të dalë me një urdhër ku parashikohet edhe opsioni i shoqërimit të detyrueshëm i ish-funksionarit të lartë, i dyshuar së bashku me dy persona të tjerë për korrupsion.
Top Channel