Kanë kaluar dy javë qëkur Hamasi filloi sulmin ndaj Izraelit, duke vrarë më shumë se 1400 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.
Ndërkohë si pasojë e bombardimeve të forcave izraelite të cilat u kundërpërgjigjën menjëherë pas kësaj ofensive, kanë humbur jetën më shumë se 4600 palestinezë dhe janë plagosur mbi 14 mijë të tjerë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit humbën jetën më shumë se 266 palestinezë, duke përfshirë 117 fëmijë.
Palët duket se kësaj here janë larg negociatave për armëpushim. Izraeli, vijon të këmbëngulë se do të ndërmarrë një ofensivë ushtarake nga toka, ajri dhe deti për të shfarosur totalisht militatët e Hamas. Por edhe pse nuk ka një datë konkrete, kryeministri Benjamin Netanyahu paralajmëroi se ky operacion do të ndodh së shpejti, ndërsa paralajmëroi Hezbollahun që të qëndrojë larg dhe të mos përfshihet në konflikt pasi edhe në këtë rast përgjigja do të jetë e njëjtë.
“Hezbollahu do të bëjë gabimin e jetës së tij nëse fillon një luftë me Izraelin, duke shtuar se pasojat për Libanin do të ishin shkatërruese”, tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Përleshjet përgjatë kufirit verior të Izraelit janë përshkallëzuar dita-ditës dhe autoritetet kanë evakuuar tashmë dhjetëra mijëra civilë që jetojnë pranë kufirit. Ndërkohë në Gaza kanë hyrë kamionët e parë me ndihma pas disa ditë negociatave mes SHBA-së, Egjiptit dhe Izraelit, ndërsa palestinezët po përballen me shkatërrimin. Për situatën ka reaguar edhe Irani, që tashmë i ka cilësuar veprimet ushtarake të Izraelit si tejet të rrezikshme dhe të dala jashtë kontrollit, pasi kjo luftë mund të implikojë të gjithë rajonin. Ndërkohë SHBA ka dërguar të tjera armë për ushtrinë izraelite.
Top Channel