Të rinjtë e Lezhës do të kenë mundësinë e një ambienti të ri, multi funksional në shërbim të tyre.
Salla teknologjie, bibliotekë, sallë konferencash e kinema janë disa nga ambientet e reja në këtë qendër rinore e ideuar si një risi dhe e nevojshmëri për të rinjtë.
Elson Frroku, Drejtor i Projekteve Strategjike dhe Evropës komentoi domosdoshmërinë e qendrës dhe fton të rinjtë “në shtëpinë e tyre të re”.
Nga ana tjetër të rinjtë e qytetit shprehen se kjo qendër tashmë do të jetë shtëpia e tyre e dytë, dhe një mundësi për të qenë pranë jetës reale duke u larguar sado pak nga celularet.
“Të rinjtë kanë tashmë diçka në favorin e tyre, me sallat e ndryshme. Jam shumë e lumtur që këta të rinj kanë këto mundësi që ne s’i kishim. Do të shërbej për pjesën personale, duke e lidhur me pjesën sociale që do të jetë shumë e mirë të merren me aktivitete dhe të shkëputen nga rrjetet sociale”, tha një vajzë e re.
“Kjo qendër rinore ka qenë një ëndërr e shumë të rinjve lezhjanë, e prisnim një qendër të tillë për ta pagëzuar me një shtëpi të re për të rinjtë. Pika kryesore e kësaj qendre është aktivizmi dhe shpresoj qe ndjenjën dhe energjinë e aktivizimit ta kemi sa më shumë tek të rinjtë tanë për të patur një jetë sa më aktive, dhe një jete elitare rinore në qytetin e Lezhës“, tha një prej të rinjve të Lezhës.
Kjo qendër vjen si një domosdoshmëri për të rinjtë e këtij qyteti duke i larguar sadopak nga kafenetë apo rrjetet sociale.
Top Channel