La stolin e Holandës pas eliminimit, Koeman i dedikohet bashkëshortes së sëmurë: Ka gjëra më të rëndësishme se futbolli, për dështimin mbaj përgjegjësi
Meksika ka siguruar një fitore bindëse 2-0 ndaj Ekuadorit në fazën e 1/16-ave të Botërorit 2026, duke prerë biletën për në 1/8 e finales dhe duke regjistruar suksesin e parë në një ndeshje me eliminim direkt në Kupën e Botës që nga viti 1986.
Pavarësisht një vonese prej një ore për shkak të motit, atmosfera në legjendarin Estadio Azteca ishte elektrizuese, me tifozët vendas që shtynë ekipin drejt një paraqitjeje dominuese që në minutat e para. Meksikanët krijuan vazhdimisht raste, ndërsa Raúl Jiménez dhe Gilberto Mora rrezikuan portën kundërshtare përpara se epërsia të vinte në minutën e 22-të.
Julián Quiñones zhbllokoi sfidën me një aksion fantastik individual, duke depërtuar nga krahu i majtë dhe duke mposhtur portierin Hernán Galíndez me një goditje të fortë në shtyllën e parë. Ky ishte goli i tij i tretë në këtë Botëror.
Pak pas gjysmë ore lojë, Meksika dyfishoi shifrat. Raúl Jiménez rikuperoi topin lart në fushë, kombinoi bukur me Quiñones dhe finalizoi me klas një aksion model për rezultatin 2-0.
Ekuadori tentoi të reagojë në pjesën e dytë me disa zëvendësime, por nuk arriti të vinte seriozisht në vështirësi portën meksikane. Edhe pse Meksika uli ritmin, krijoi sërish raste për të thelluar avantazhin, me César Montes që iu afrua golit me një goditje me kokë.
Mbrëmja e hidhur për Ekuadorin u përkeqësua në fund, kur Piero Hincapié u ndëshkua me karton të kuq pas një përplasjeje me një kundërshtar, ku mbuloi gojën me duar.
Me këtë sukses, Meksika regjistron edhe portën e paprekur për të katërtën ndeshje radhazi në këtë Botëror dhe vazhdon marshimin drejt fazave finale.
Në 1/8-ate finales, “El Tri” do të përballet me fituesin e çiftit Angli – RD Kongo.
Rezultati:
Meksikë 2-0 Ekuador
Julián Quiñones 22’, Raúl Jiménez 32’
Karton i kuq: Piero Hincapié (Ekuador)
Top Channel