553 punëtorë të huaj në Fier, mungesa e fuqisë punëtore, bizneset në Fier shtojnë punësimin e të huajve

29/06/2026 12:33

Mungesa e fuqisë punëtore në qarkun e Fierit po i detyron gjithnjë e më shumë bizneset të drejtohen drejt punonjësve të huaj.

Nga bujqësia dhe ndërtimi, deri te industria përpunuese dhe shërbimet, kërkesa për krah pune nga jashtë vendit ka njohur rritje të ndjeshme gjatë muajve të parë të këtij viti.

Vetëm gjatë periudhës janar–maj 2026, në qarkun e Fierit janë miratuar 553 kërkesa për Leje Unike, të aplikuara përmes portalit e-Albania dhe të trajtuara nga strukturat e punësimit.

Sektorët që kanë shfaqur nevojën më të madhe për punonjës të huaj janë bujqësia dhe agropërpunimi, ndërtimi, industria përpunuese, tregtia dhe shërbimet. Ndërkohë, një numër i konsiderueshëm shtetasish të huaj janë punësuar edhe në industrinë e hidrokarbureve dhe në sektorin e shëndetësisë.

Italia, Kosova, Turqia, India, Filipinet dhe Egjipti renditen ndër vendet me numrin më të lartë të të punësuarve.

Të dhënat tregojnë se bizneset po orientohen gjithnjë e më shumë drejt tregut të huaj të punës, për shkak të vështirësive në gjetjen e punonjësve vendas. Kërkesa më e lartë mbetet për profesionet teknike, punët sezonale në bujqësi, industrinë përpunuese dhe sektorin e shërbimeve.

Rritja e numrit të punonjësve të huaj në qarkun e Fierit po konsiderohet si një zgjidhje për mungesën e krahut të punës, ndërsa bizneset shpresojnë se kjo prirje do të ndihmojë në mbajtjen aktive të sektorëve kryesorë të ekonomisë lokale.

Top Channel