Deportimi i parë drejt Palau, SHBA dërgon një emigrant në ishullin e Paqësorit

01/07/2026 08:10

Autoritetet amerikane kanë deportuar për herë të parë një emigrant në shtetin ishullor të Palaut, në Oqeanin Paqësor, në kuadër të një marrëveshjeje mes dy vendeve për pranimin e shtetasve të vendeve të treta.

Lajmi u konfirmua nga qeveria e Palaut, e cila bëri të ditur se personi mbërriti në fund të muajit maj.

“Ne e pritëm të parin në aeroport, e transportuam në banesën e tij të përkohshme dhe e ndihmuam të sistemohej, duke përfshirë edhe lidhjen e telefonit”, thuhet në deklaratën e presidencës së Palaut.

Nën administratën e presidentit Donald Trump, Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar deportimet e emigrantëve pa dokumente dhe azilkërkuesve, duke i dërguar në vende të treta si Uganda, El Salvadori, Ruanda dhe tani edhe Palau, pavarësisht shtetësisë së tyre.

Marrëveshja mes Uashingtonit dhe Palaut u nënshkrua në dhjetor 2025 dhe parashikon që shteti ishullor të pranojë deri në 75 shtetas të vendeve të treta të deportuar nga SHBA-ja.

Sipas marrëveshjes, personat e transferuar nuk do të jenë të akuzuar për vepra penale dhe do të kenë të drejtën të jetojnë dhe të punojnë në Palau, duke ushtruar profesione ose detyra që konsiderohen të dobishme për vendin.

Palau është një nga shtetet më të vogla në botë për nga popullsia, me rreth 20 mijë banorë të shpërndarë në qindra ishuj vullkanikë dhe atole koralore, rreth 800 kilometra në lindje të Filipineve.

Edhe pse fitoi pavarësinë në vitin 1994, Palau mban marrëdhënie të ngushta me Shtetet e Bashkuara. Në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe, ushtria amerikane ka të drejtë të përdorë territorin e arkipelagut, ndërsa Uashingtoni i ofron qindra miliona dollarë ndihmë financiare dhe garanton mbrojtjen e tij kombëtare.

Top Channel