Sonda hapësinore Lucy e NASA-s ka arritur në grupin e asteroidëve trojanë që i paraprijnë Jupiterit, pas pesë vitesh udhëtim dhe më shumë se 3.5 miliardë kilometrash të përshkuar.

Misioni synon të studiojë nga afër këto objekte qiellore, të cilat mund të zbulojnë të dhëna të rëndësishme për formimin e Sistemit Diellor.

Asteroidët trojanë ndajnë orbitën e Jupiterit rreth Diellit dhe ndahen në dy grupe: njëri që i paraprin planetit gjigant dhe tjetri që e ndjek. Shkencëtarët i konsiderojnë këta asteroidë si mbetje të lashta nga periudha e formimit të Sistemit Diellor, ndaj studimi i tyre mund të ndihmojë në kuptimin e mënyrës se si u formuan planetët dhe si arritën në pozicionet e tyre aktuale.

Takimi i parë i afërt i sondës Lucy me një asteroid trojan, Eurybates, pritet të ndodhë në gusht të vitit 2027. Ky asteroid ka një diametër prej rreth 70 kilometrash dhe besohet të jetë pjesë e një grupi prej më shumë se 200 fragmentesh, të krijuara nga një përplasje e madhe miliarda vjet më parë.

Takimi do të zgjasë vetëm disa orë, ndaj ekipi shkencor po përgatit instrumentet dhe sistemet e sondës për të siguruar mbledhjen e sa më shumë të dhënave. Deri më tani, misioni po ecën sipas planit, ndërsa Lucy po përshtatet me temperaturat më të ulëta dhe me sasinë më të vogël të dritës diellore në këtë rajon, që ndodhet rreth pesë herë më larg nga Dielli sesa Toka.

Pas Eurybates, sonda do të vizitojë asteroidin Polymele në shtator 2027, Leucus në prill 2028 dhe Orus në nëntor 2028.

Në vitin 2030, Lucy do të rikthehet pranë Tokës për të përfituar nga një shtytje gravitacionale, e cila do ta ndihmojë të arrijë grupin e dytë të asteroidëve trojanë, atë që ndjek Jupiterin. Në mars të vitit 2033, ajo pritet të eksplorojë çiftin e asteroidëve Patrokl dhe Menoet.

Lucy është sonda e parë hapësinore e projektuar për të eksploruar nga afër asteroidët trojanë të Jupiterit. Shkencëtarët shpresojnë që të dhënat e mbledhura gjatë misionit të ndihmojnë në rindërtimin e historisë së hershme të Sistemit Diellor.

Top Channel