Makth i pafund në Venezuelë/ Pothuajse 2,000 të vdekur, morgje të improvizuara dhe një luftë për një pjatë ushqim

01/07/2026 07:18

Bilanci i viktimave nga dy tërmetet shkatërruese që goditën Venezuelën më 24 qershor vijon të rëndohet.

Sipas autoriteteve, numri zyrtar i të vdekurve ka arritur në 1,943, ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se vendi po përballet me një krizë të thellë humanitare dhe rrezik të lartë për shpërthimin e epidemive.

Kryetari i Parlamentit, Jorge Rodriguez, bëri të ditur se tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 kanë lënë gjithashtu rreth 10,500 të plagosur. Ai shtoi se në zonën portuale të La Huirës, më e goditura nga lëkundjet sizmike, ndodheshin rreth 30 mijë persona në momentin e fatkeqësisë.

Sipas autoriteteve, deri tani janë shpëtuar 6,461 persona, ndërsa OKB-ja vlerëson se rreth 50 mijë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 72 orë nga tërmetet, ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet. Një ekip shpëtimtarësh nga Jordania arriti të nxjerrë të gjallë një djalë trevjeçar nga rrënojat në Karakas, duke rikthyer shpresën mes operacioneve të vështira të kërkim-shpëtimit.

Sipas vlerësimeve të NASA-s, bazuar në imazhet satelitore, rreth 58,870 ndërtesa janë dëmtuar ose shkatërruar, ndërsa infrastruktura jetike ka pësuar dëme të rënda.

Gjendja më kritike paraqitet në shtetin verior të La Huirës, ku mungesa e ushqimit, ndërprerja e komunikimeve dhe kolapsi i shërbimeve bazë kanë përkeqësuar situatën.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) paralajmëroi se tensionet mes banorëve po rriten, ndërsa ndihmat humanitare nuk po arrijnë në të gjitha zonat e prekura.

“Ndonjëherë njerëzit vriten për një pako ushqimi. Luftojnë mes tyre sikur të ishin në luftë”, tha Daniela Armas, një 18-vjeçare e plagosur nga tërmeti.

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) ka bërë thirrje për 50 milionë dollarë financime emergjente, me synimin për të siguruar ushqim për rreth 500 mijë persona gjatë tre muajve të ardhshëm.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive, për shkak të dëmtimeve në sistemin shëndetësor, mungesës së ujit të pijshëm dhe zhvendosjes masive të popullsisë.

Sipas OBSH-së, ekziston rrezik për shpërthimin e fruthit, difterisë dhe kollës së mirë, ndërsa 38 spitale kanë pësuar dëmtime, tre prej tyre në gjendje kritike.

UNHCR kërkon rreth 15 milionë dollarë për të siguruar strehim të përkohshëm për të paktën 30 mijë persona gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Në portin e La Huirës është ngritur një morg i improvizuar për identifikimin e viktimave, ndërsa spitalet vijojnë të përballen me fluks të madh të plagosurish dhe trupash.

“Në shtëpinë tonë ishin 11 persona. Vetëm dy prej nesh mbijetuam sepse ndodheshim në punë”, rrëfeu Wilker Molaya, i cili po kërkon trupat e familjarëve të tij.

Komuniteti ndërkombëtar ka shtuar ndihmën për Venezuelën. Sipas OKB-së, 27 vende kanë dërguar mbi 40 ekipe shpëtimi, më shumë se 2,000 efektivë dhe mbi 160 qen të trajnuar për kërkimin e personave të bllokuar.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar dyfishimin e ndihmës humanitare për Venezuelën, duke e çuar atë në 300 milionë dollarë, fonde që do të shpërndahen përmes agjencive të OKB-së dhe organizatave joqeveritare.

Top Channel