Nga turist në banor të përhershëm, baristi gjerman në Shëngjin: Kam udhëtuar botën, por Shqipërinë e zgjodha për të jetuar

29/06/2026 12:26

Vitet e fundit, Shëngjini po shndërrohet në një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj.

Disa prej tyre nuk po vijnë më vetëm për pushime, por po zgjedhin të jetojnë dhe të punojnë këtu. Njëri prej tyre është Rene, një barist nga Gjermania, i cili prej pesë vitesh rikthehet çdo verë në Shëngjin dhe tashmë ka vendosur ta quajë këtë vend shtëpinë e tij.

“Nuk kisha dëgjuar asgjë për Shqipërinë. Prandaj erdha këtu me kamperin tim. Takova një djalë që më foli për këtë bar dhe vendosa të vija. Fillimisht mendova të qëndroja pak, por përfundova duke kaluar 6 javë këtu. Më pëlqeu aq shumë sa rikthehem gjithmonë. Vij përsëri për të përjetuar jetën shqiptare, sepse është vërtet e veçantë. Shqiptarët janë jashtëzakonisht miqësorë dhe zemërmirë, ndaj gjithmonë dua të jem këtu”, tha Rene.

Mikëpritja, natyra, ushqimi dhe atmosfera janë disa nga arsyet që e bëjnë Renen të rikthehet çdo vit në Shëngjin. Ai thotë se këtu ka gjetur jo vetëm një vend për të jetuar, por edhe njerëz me të cilët dëshiron të ndërtojë të ardhmen.

“Më pëlqen atmosfera këtu. Mario është një njeri i veçantë, kujdeset për turistët dhe për ata që udhëtojnë me kamper. Rana e Hedhun është një vend fantastik, me malin e rërës, ujin e pastër dhe burimet e ujit të ëmbël. Mund të zhytesh, të peshkosh dhe të bësh shëtitje me varkë me Marion. Tashmë jetoj këtu prej pesë vitesh dhe, po, dua të qëndroj në Shqipëri përgjithmonë. Kam udhëtuar në shumë vende, kam qenë në Amerikën e Jugut dhe në Australi, por megjithatë dua të jetoj këtu”, tha Rene.

Si një i huaj që po punon në Shqipëri, është hasur edhe me paragjykime, por ai tregon se shumë shqiptarë i janë drejtuar Gjermanisë për të punuar, ndërsa ai ka vendosur të punojë në vendin tonë.

“Ndonjëherë për njerëzit është pak e çuditshme të shohin një të huaj duke punuar këtu. Më pyesin shpesh: “Çfarë po bën këtu?”. Por është interesante, sepse shumë shqiptarë shkojnë në Gjermani apo në vende të tjera për të punuar, ndërsa unë kam zgjedhur të vij në Shqipëri. Ne jemi njerëz me mendje të hapur dhe shqiptarët janë po ashtu. Kjo na bën të punojmë shumë mirë së bashku.”

Pas pesë vitesh në Shëngjin, Rene tashmë është një njohës i mirë i zonës. Ai rekomandon për çdo turist disa nga atraksionet më të veçanta, duke i ftuar të zbulojnë jo vetëm bukuritë natyrore, por edhe mikpritjen që, sipas tij, e bën Shqipërinë një destinacion të paharrueshëm.

Top Channel