Luftimet në Gaza! Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës: 8 kosovarë të evakuuar nga Izraeli, vijojnë procedurat për 7 të tjerë

09/10/2023 17:07

Tetë shtetas të Kosovës janë larguar nga territori i Izraelit njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton mediet dhe opinionin publik, se si rezultat i sulmit terrorist ndaj shtetit të Izraelit që ndodhi të shtunën, më 7 tetor, 2023 në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem deri më tash kanë kërkuar ndihmë tetë shtetas të Republikës së Kosovës. Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, që kërkuan ndihmë tashmë janë larguar nga territori i shtetit të Izraelit”, thuhet në përgjigjen e MPJD.

Po ashtu bëhet e ditur se edhe shtatë të tjerë kanë kërkuar ndihmë pranë Ambasadës së Kosovës në Izrael, dhe po punohet për t’i çuar ata në vend të sigurt.

“Ndërkohë, në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’i ofruar zgjidhje. Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po mban kontakte të vazhdueshme edhe me shtetasit e Republikës së Kosovës që ndodhen me punë në shtetin e Izraelit si pjesë e stafit ndërkombëtar të organizatave të huaja apo agjencioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – OKB-së”, njoftohet nga MPJD.

Asnjë shtetas i Republikës së Kosovës nuk ka humbur jetën nga luftimet, derisa MPJD falenderon Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasanin për ndihmën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA