Qeveria gjermane i dha dritën jeshile një plani prej 14 pikash për të trajtuar krizën e strehimit në vend.

Marrëveshja u arrit pikërisht në ditën e një takimi vendimtar midis industrisë së ndërtimit dhe udhëheqësve të qeverisë dhe kancelarit Olaf Scholz, pasi industria e ndërtimit dhe banesave është në krizë, thonë mediat vendase.

Sipas ujdisë, Berlini do të pezullojë për një kohë të pacaktuar planet për të vendosur standarde më të rrepta për izolimin e ndërtesave. Kjo do të nënkuptonte një largim nga standardi i kursimit të energjisë EH40. Koalicioni qeveritar kishte rene dakord që EH40 të bëhej normë deri në vitin 2025.

EH40 do të thotë një kërkesë prej 40% të energjisë së një ndërtese të krahasueshme. Standardi aktual është EH55. “Duke pasur parasysh kushtet e vështira që mbizotërojnë aktualisht në sektorin e ndërtimit dhe strehimit për shkak të normave të larta të interesit dhe kostove të ndërtimit, futja e EH40 si standard ligjor i detyrueshëm për ndërtesat e reja “nuk është më e nevojshme gjatë kësaj legjislature dhe do të pezullohet”, thanë burime nga ekzekutivi.

Masa të tjera përfshijnë zgjerimin e qasjes në kredi të përballueshme dhe “subvencionimin e klimës” që synon zëvendësimin e sistemeve të ngrohjes që përdorin lëndë djegëse fosile me sisteme miqësore me mjedisin. Për muaj të tërë, plani ka sjellë kritika të forta nga industria e ndërtimit për shkak të rritjes së ndjeshme të kostove të ndërtimit.

Top Channel