Policia e Kosovës ka bërë të ditur se orët e para të 22 shtatorit është hedhur granatë dore në oborrin e një serbi në fshatin Ranilluk.
Në raportin 24-orësh të Policisë, të publikuar më 23 shtator, është thënë se si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në shtëpinë e viktimës.
Policia ka thënë se nuk ka të lënduar, por që rasti është duke u hetuar.
Ranilluku gjendet afër qytetit të Gjilanit.
Për sulm me granatë dore është raportuar edhe më 21 shtator në Mitrovicë të Veriut.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë sulmi në veri ka qenë shenjë revolte për arrestimin e tre serbëve, nën dyshime për krime lufte.
Tre serbët janë arrestuar më 20 shtator në veri.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – i kanë cilësuar arrestimet si “të motivuara politikisht”.
Lidhur me sulmet me granata, më 22 shtator ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
“Thellësisht i tronditur me raportimet për përdorim të pajisjeve shpërthyese në disa pjesë të Kosovës. I dënojmë këto akte të dhunës dhe u bëjmë thirrje autoriteteve që të kryejnë hetime të hollësishme dhe t’i sjellin kryesit para drejtësisë”, ka thënë Hovenier në rrjetin X – të njohur më parë si Twitter.
Për sulmin në veri ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, duke thënë se po e vëzhgon situatën me shumë kujdes.
Tensionet në veri janë të larta prej muajit maj, kur banorët e komunave veriore me shumicë serbe nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, ani pse e kanë bojkotuar procesin zgjedhor.
Situate, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.
Top Channel